Përfshirja e punonjësve të administratës në fushatë elektorale ka sjellë një varg shkarkimesh e penalitetesh. Një tjetër rast është regjistruar ditën e sotme. Ditën e sotme, Ministria e Financave ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e Erlis Shalari, punonjës i doganës Kakavijë.
“Nisur nga informacionet, z. Shalari, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë aktive dhe të
drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me VKM
nr. 473, dt. 01.06.2017. Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë qe të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Për të patur nën kontroll situatën edhe për ditët e mbetura të fushatës elektorale deri në zhvillimin e zgjedhjeve, Ministria e Financave i thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake.
a.ç