Ekskluzive JAVANEWS/ Nga Andi Malasi
Në Gjykatën Kushtetuese ka mbërritur padia e radhës kundër “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur si ligji i vetingut. Pasi dështuan në tentativën e parë për të rrëzuar këtë ligj në padinë e vitit të shkuar, ku iu bashkuan Partisë Demokratike në padinë e saj, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve përpiluan një padi të re teksa politika gjeti konsensusin për të zhbllokuar procesin e Vettingut.
Veç ligjit të vettingut, gjyqtarët kanë ankimuar edhe dy ligje të tjera të reformës në drejtësi që lidhen me kontrollin e figurës së tyre dhe kontrollin e sistemit në tërësi, ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Por ku ndryshon padia e re e gjyqtarëve nga ajo e vitit të shkuar, kur ata u bashkuan me Partinë Demokratike. Nëse padia e rrëzuar nga kushtetuesja vitin e shkuar bazohej kryesisht te pretendimet e opozitës për cënimin e parimit të ndarjes së pushteteve, apo shkelja e të drejtave të njeriut sa i takon privatësisë së njerëzve të drejtësisë, padia e radhës shkon më thellë dhe prek momente thuajse teknike të ligjit shkruan JavaNews. Ajo lidhet drejtëpërdrejtë me mënyrën se si duhet të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në padinë e rrëzuar më herët nga kushtetuesja, u vlerësua se “për rivlerësimin e gjyqtarëve kompetencat i takojnë Komisionit të Pavarur të Kualifikimin dhe Kolegjit të Apelimit, ndërkohë roli i ILDKPKI dhe DSIK është vetëm ndihmës”. Por në padinë e re të depozituar nga gjyqtarët, synohen rrëzimi i të gjitha përcaktimeve për mënyrën se si bëhet verifikimi i pastëritë dhe mblidhen provat për lidhjen e tyre me persona të botës së krimit shkruan JavaNews.
Shoqatat kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfidenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore. Praktikisht, nëse në padinë e parë kundërshtohej vetëm roli i institucioneve ndihmëse si ILDKPKI dhe DSIK, tashmë kërkohet që provat nga këto struktura të mos konsiderohen, edhe pse mund të japin të dhëna të sakta për lidhje me krimin.
Një tjetër moment mjaft i dyshimtë i padisë është edhe shtrirja në kohë e verifikimit. Në padinë e re synohet fshehja e çdo lloj lidhjeje të mundshme me persona të inkriminuar në të shkuarën. Nisja e kontrolleve nga 1 janari i vitit 2012, për gjyqtarët cilësohet si antikushtetuese.
Në padinë e re parashikohen edhe dy pika të reja që nuk ishin pjesë e ankimimit të vitit të shkuar nga PD dhe gjyqtarët. Kjo lidhet me dorëheqjen e gjyqtarit nga detyra 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, që rrjedhjimisht ndërpret verifikimin e pastërtisë, e rrjedhimisht e imunizon atë nga zbulimi i lidhjeve me persona të inkriminuar shkruan JavaNews. Gjyqtarët në padinë e re kërkojnë që kjo e drejtë të shtrihet gjatë gjithë periudhës së verifikimit. Kjo duket si tentativë e njrëzve të drejtësisë që të dorëhiqen vetëm në momentin që zbulohen probleme në pastërtinë e figurës.
Në padinë e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese shoqatat kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin edhe të neneve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të cilët përcaktojnë kriteret e vjetërsisë në punë dhe të vlerësimit profesional për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kundërshtia e gjyqtarëve në këtë pikë lidhet me kontrollin e sistemit. Ata kërkojnë minimizimin e rolit kontrollues të personave që nuk kanë lidhje me sistemin dhe që do jenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Gjyqtarët kundërshtojnë rolin që luajnë anëtar jo gjyqtar dhe jo prokurorë në përzgjedhjen e kryetarit dhe zv/kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë dhe rolin që anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë në procedimet disiplinore. Pra kërkojnë ata vetë që të dënojnë ata veten e tyre nesër, çka përbën një ndër dështimet e së shkuarës.
Kjo lëvizje e Shoqatës së Gjyqtarëve ka sjellë shqetësim te faktori ndërkombëtar që u investua fortë te reforma në drejtësi./JavaNews
PADIA: