Parlamenti i Turqisë të mërkurën ka aprovuar një projektligj që parasheh dislokimin e Ushtrisë turke në një bazë në Katar – një hap i qartë në mbështetje të vendit të Gjirit Arab, teksa ai po përballet me izolim diplomatik dhe tregtar nga disa prej fuqive më të mëdha të Lindjes së Mesme.
Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni kanë shkëputur marrëdhëniet me Katarin dhe kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për fluturime komerciale të hënën, duke e akuzuar Katarin për financim të grupeve militante. Katari mohon akuzat.
Projektligji, i hartuar para shkëputjes së raporteve, është miratuar me 240 vota pro, kryesisht nga partia në pushtet, AKP, dhe partia opozitare nacionaliste MHP. Zyrtarët nga AKP dhe MHP kanë thënë se ligji parasheh displokim të trupave turke në një bazë turke në Katar, në mes të raportimeve se Turqia po ashtu do ta furnizojë vendin me ushqim dhe gjëra të tjera të domosdoshme. /ma.me