Ndër tre partitë kryesore, ajo që ka moshën më të re të kandidatëve është Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas të dhënave, mosha mesatare e kandidatëve të LSI është rreth 39.1 vjeç. Në vendin e dytë vjen Partia Demokratike.
Kandidati mesatar i Republikës së re është 42.4 vjeç, ndërsa mosha mesatare e kandidatëve të Partisë Socialiste rezulton 44.4 vjeç. Por këto janë të dhënat mesatare për të gjithë kandidatët, e cila ndikohet shumë nga të rinjtë që partitë vendosin në vendet e fundit për të plotësuar listat.
Ndaj Top Channel hulumtoi moshën mesatare posaçërisht për kandidatët që janë renditur në vendet e mundshme fituese dhe përfundimi ndryshon jo pak. Më saktësisht, për LSI mosha mesatare e kandidatëve që me gjasa do të zgjidhen deputetë është 47.25 vjeç, për Partinë Demokratike 47.8 vjeç, ndërsa për PS 48.9 vjeç.
Në të vërtetë listat e partive janë të mbushura me të rinj. Numri i kandidatëve nën 35 vjeç, që përkon dhe me moshën mesatare të popullsisë varion nga 37 vetë në listën e Partisë Socialiste deri në 65 vetë në atë të Partisë Demokratike.
Por të dhënat tregojnë se shumë pak prej tyre do të ulen në karrigen e deputetit. Sipas shifrave, në LSI numri i kandidatëve nën 35 vjeç që kanë mundësi për t’u zgjedhur deputet varion nga 3 deri në 7 vetë; në PD pritet të zgjidhen 3 deri në 6 deputetë nën 35 vjeç; ndërsa në PS numri i deputetëve që përfaqëson moshën mesatare të vendit pritet të jetë vetëm 2 deri në 4 vetë.
Partive shqiptare përgjithësisht u pëlqen të reklamohen si përfaqësuese e të rinjve. Por faktikisht parlamenti i ardhshëm i Shqipërisë nuk pritet të ketë më shumë se 10 për qind të deputetëve në moshën 35 vjeç e poshtë.
ma.me