Kryeministri Rama lëshoi sërish sulme ndaj LSI-së dhe partive të vogla gjatë një takimi elektoral në Vlorë.
Rama tha se partitë e vogla duan vetëm një dorë në timonin e qeverisë, në mënyrë që të përmbushin interesat e tyre të vogla.
“Interesat e tyre janë të vogla. Ata duan të plotësojnë vetëm qëllimet partiake. Partitë e vogla nuk janë garante të demokracisë, por garante të tepsisë”, tha Rama në Vlorë.
Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja zgjidhje për të bërë shtet dinjitoz dhe e vetmja forcë që ka kokëfortësinë shqiptare për t’i çuar gjërat deri në fund.
“Këto do të jenë zgjedhjet e para që nuk do të kontestohen”, ka deklaruar Rama, i cili ka kërkuar edhe votën e demokratëve.
“U them demokratëve që PD-në ta mbajnë në zemër dhe në mendje të fusin PS-në. Ne quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ajo vjen e para pastaj vjen pushteti. Ndërsa e para është Shqipëria”, ka thënë Rama.
Duke iu drejtuar të pranishëmve, Rama u ka bërë thirrje atyre që më 25 qershor të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“Momentin që njerëzit votojnë duhet të mendojnë se votojnë për kë do të marrin në punë, si në qeverinë qendrore dhe në atë vendore”, ka thënë Rama.
Kreu i qeverisë premtoi krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e ardhshëm, si dhe investimin për rrugët e fshatrave, me qëllim nxitjen e prodhimit./a.ç