Edhe pse burime nga Policia thanë dje se në pamjet filmike duket qartë dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve, psikologia e kopshtit “4 Stinët”, Aurora Cici, shprehet se nuk bëhet fjalë për dhunë, por tërheqje vëmendjeje për disa fëmijë që bënin zhurmë.
“Rasti është i vërtetë. Është denoncuar. Pamjet janë marrë në Prokurori. Organet përkatëse do marrin çështjen nën kontroll. Nuk ka asgjë për t’u bërë e madhe e për t’u alarmuar. Fëmijët janë të qetë, janë nën kontroll. Kanë ardhur të gjithë me dëshirë në kopsht. Madje edhe për personin në fjalë (edukatoren e arrestuar) vazhdojnë ta kujtojnë akoma, sepse nuk është një rast kaq i madh sa ç’po transmetohet. Ka qenë një tërheqje vëmendjeje karshi 2-3 fëmijëve, të themi ‘pak problematikë’ të grupit, por jo se është ushtruar dhunë. Unë nuk jam përkrah dhunës, është gjëja më e gabuar. Organet kompetente do merren me këtë çështje, i kanë marrë pamjet. Tani janë ata që do merren me këtë çështje. Unë nuk kam vënë re ndonjëherë shenja agresiviteti tek edukatorja në fjalë, e cila ka mbi 2 vjet që punon në këtë kopsht”, u shpreh dje për mediat psikologia e kopshtit, Aurora Cici.
Arrestimi
Policia bën me dije se në pranga u vu edukatorja 30-vjeçare me inicialet D.R. (Denilda Rexhepi). Kanë qenë prindërit e dy fëmijëve, nënat, që të shqetësuara nga reagimi i të vegjëlve të tyre bënë denoncimin ndaj edukatores. Pas arrestimit, u bë edhe sekuestrimi i kamerave filmike për të verifikuar se çfarë ka ndodhur konkretisht./panorama/a.m.
(Denilda Rexhepi, edukatorja e arrestuar)