Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i është hidhëruar fort kolegut të tij kosovar, Hashim Thaçi, të premten. Kjo pasi ky i fundit, ka thënë, gjatë takimit në Slloveni që “Serbia nuk është gati për BE, pasi nuk e njeh Kosovën” dhe se nuk mund ta mendojë “që BE do ta pranojë në gjirin e saj Serbinë, para Kosovës”.
Gazeta beogradase Blic raporton për reagimin e Vuçiçit, të cilin, sipas të përditshmes sërbe, presidenti i ri serb ia ka bërë të ditur edhe holomogut tjetër, gjermanit Frank Walter Steinmeier, por edhe Thaçit.
“Për çfarë po flet ti? Po ju po dëshironi për kryeministër njeriun i cili ka qenë i akuzuar për krime lufte dhe të gjithë dëshmitarët janë vrarë. Pavarësinë e morët pas agresionit të NATO-s, pa referendum dhe nuk ju kanë pranuar të gjithë.
Pesë shtete evropiane ende nuk ju njohin. Ju për ne nuk jeni shtet i pavarur”, ka cituar Blic të ketë thënë Vuçiç. “Dhe ju nuk dëgjoni atë çfarë thotë Serbia dhe thoni se ne nuk kemi qasje evropiane sepse nuk do ta njohim Kosovën. Për dallim nga ju, që për kryeministër e kandidoni atë…
Unë kam thënë në Kuvend që Serbia duhet të heq dorë nga mitet e veta, për hir të së ardhmes, jo vetëm të serbëve, por edhe të shqiptarëve në Kosovë e Metohi”.
Për më tepër, presidenti i Serbisë, gjithnjë sipas Blic, ka folur edhe për politikat nacionaliste në rajon.“Ishe ti, Hashim, që fole për Shqipërinë e Madhe, jo unë. Jonuz Musliu, po ashtu. Flisni hapur për këtë, ndërsa Brukseli nuk guxon të thotë se kush foli, por thonë – ulini tensionet”, citohet të ketë thënë Vuçiç, transmeton klankosova.tv.
“E kishit një obligim dhe nuk e përmbushët, e ky është Asociacioni i Komunave Serbe. Ne i përmbushëm të gjitha, numrin e telefonit, gjyqtarët, prokurorët… krejt. Ju? Asgjë, sepse e keni mbështetjen e numrit më të madh të vendeve të BE-së”.
Po ashtu, Vuçiç ka folur me inat edhe për një çështje tjetër, duke iu referuar Thaçit. “Sikur të kishit 30 për qind shqiptarë në Mal të Zi nuk do të lënit gurë mbi gurë, e ne nga ta nuk kërkuam asgjë”, ka thënë Vuçiç. (b.an)