Policia e Shtetit ka proceduar penalisht drejtorin e spitalit të Beratit, Idlir Frashëri dhe deputetin e LSI-së, Gledion Rehovica.
Kjo, pasi ata akuzohen se kanë premtuar vende pune, në këmbim të votave për LSI-në.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga policia.
“Sot në datë 05.06.2017, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi bazën e një denoncimi, filloi procedimin penal për shtetasin I.F, pasi duke qenë në funksion publik të drejtorit Rajonal të Spitalit Berat, në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe deputetin e zonës G.R., kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktive në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Materialet procedurale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal”, bën me dije Policia e Shtetit./a.m.