Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë të lirë pas 4 muajsh në qeli, ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Vlorës, Haki Hasanbegaj. Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga ajo e “arrestit me burg” në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve.
Me anë të një vendimi gjykata ka bërë të ditur se Hasanbegaj, ka probleme shëndetësore dhe se lirimi i tij nga burgu nuk rrezikon marrjen e provave për organin e procedurës. Ndërsa për sa i përket ndryshimit të masës mësohet se ishte dakord edhe përfaqësuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda raporton Panorama.
Kujtojmë që ish-shefi i rendit në drejtorinë e policisë së Vlorës, Haki Hasanbegaj u arrestua në shkurt të këtij viti me akuzën e kultivimit të lënde narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pasi sipas hetimeve lejonte dhe favorizonte me vetëdije kultivuesit e drogës në zonën e Tepelenës dhe Vlorës./a.m.