Euro ka rënë nën nivelin e 134 lekëve, duke u këmbyer sot me 133.98 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar nivelin më të ulët prej shtatorit të 2009-ës. Monedha vendase është forcuar edhe përkundrejt dollarit amerikan, duke këmbyer një dollar me 118.94.
Monedha e përbashkët është zhvlerësuar edhe në tregjet ndërkombëtare, por gjithsesi ka qenë në nivele më të larta të këmbimit krahasuar me muajt e parë të vitit.
Aktorët e tregut pohojnë se në tregun e brendshëm, faktorët që po ndikojnë me zhvlerësimin e euros është oferta e lartë për monedhë të përbashkët si dhe kërkesa e ulët për monedhën vendase.
Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, monedha e përbashkët ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Më shumë sesa reflektimi i tregjeve ndërkombëtare, aktorët e tregut kanë pohuar se dobësia e euros lidhet me faktorë të brendshëm, ku një ndër më kryesoret është oferta e shtuar në valutë.
Së fundmi, aktorët e tregut kanë pohuar se ka një rritje të shpenzimeve për fushatë, që po bëhen në valutë, një tjetër faktor që po e ndikon zhvlerësimin e euros.
Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend, është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë. Në tre muajt e parë të vitit, numri i turistëve të huaj u rrit me gati 12%, sipas të dhënave të INSTAT. Kur afrohen datat e taksave ka një kërkesë për të blerë lekë dhe nga kompanitë, ku më kryesoret është gazsjellësi TAP. /Monitor/ma.me