Drejtuesi elektoral i Qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste, Ilir Beqaj, i është përgjigjur përmes një postimi në facebook, kreut të PD, Lulzim Basha, që pati deklaruar në Kukës se shëndetësia falas është një mashtrim i qeverisë Rama.
Beqaj e ka ftuar Bashën që t’ua lërë shqiptarëve të vlerësojnë nëse shëndetësia falas është mashtrim apo jo, teksa i ka kujtuar arritjet e qeverisë Rama në shëndetësi:
“Sot, secili prej atyre që jetojnë në Shqipëri gëzon të drejtën të kryejë falas vizitën të mjeku i familjes, gëzon të drejtën të përfitojë nga Lista e Barnave të Rimbursueshme si dhe, nëse ndjek sistemin e referimit, vizitën tek mjeku specialist apo ekzaminimet i kryen falas apo me tarifë simbolike. Deri në shtator 2013, 600 mijë vetë të pasiguruar, pra 1 në çdo 5 shqiptarë duhet të paguante gjithçka nga xhepi i vet. Secili prej atyre që jeton në Shqipëri dhe është në grupmoshën 35 – 70 vjeç (janë rreth 1,2 milionë shqiptarë në këtë grupmoshë) gëzon të drejtën të kryejë falas 1 herë në vit një kontroll bazë parandalues ku përfshihen 44 ekzaminime të ndryshme.Ky është thelbi i mbulimit universal dhe çfarë kemi arritur në këta 45 muaj.”-deklaron Beqaj.
Beqaj i është përgjigjur edhe sulmeve për koncensione korruptive në sistemin shëndetësor publik, duke deklaruar se “ Basha nuk do që shqiptarët të marrin shërbime ekselente në spitalet publike, por të shkojnë të operohen në spitale private, pasi lobet që e mbështesin e kanë sëmundjen biznes.”
“Për koncesionet nuk habitem. Ti nuk do që shqiptarët të operohen në spitalet publike. Ti do që të kenë frikë nga infeksionet e të shkojnë në operohen në spitale private. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që investimi 1 milionë euro për sterilizimin në QSUT fjeti për tre vjet, 2010 – 2/013.
Ti nuk do që shqiptarët që kanë nevojë jetike për dializë ta marrin shërbimin ekselent pranë vendbanimit në Vlorë, Korcë, Lezhë etj, por do që të vijnë në Tiranë tre herë në javë në spitale private. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që në katër vjet 2009 – 2013 nuk erdhi asnjë pajisje e re dialize.
Ti nuk do që shqiptarët të parandalojnë apo të diagnostikojnë hershëm sëmundjet, pasi lobet që të mbështetsin e kanë sëmundjen biznes dhe nuk duan njerëz të shëndetshëm.”-shkruan Beqaj në facebook.