Abc News ka mësuar se presidenti Takaj është marrë në pyetje nga prokurorët Gjergji Tako dhe Ndini Tavani, për llogari të hetimit të nisur për trukime të ndeshjeve sportive. Mësohet se Takaj nuk ishte i shoqëruar nga avokati, pasi pyetja e tij është bërë me cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen.
Burimet pranë organit ta akuzës, nuk japin detaje për deklarimet e Takajt, por thonë se ka mbajtur një qëndrim mohues të zërave se ai apo ekipi i tij ka trukuar ndeshjet e futbollit. Sipas akuzës, thuhet se Takaj ka pretenduar se në asnjë rast ai apo drejtues të tjerë të klubit të kenë influencuar te ekipi i futbollit për të toleruar apo trukuar ndeshjen duke paracaktuar rezultatin. Këtë qëndrim, Takaj mësohet se ka mbajtur si për ndeshjet e kampionatit shqiptar ashtu edhe për ndeshjet që Skëndërbeu ka zhvilluar në kompeticionet sportive të Kupës së Europës dhe Ligës së Kampionëve gjatë vitit 2016.
Pak ditë më parë po për llogari të këtij hetimi, prokurorët kanë pyetur edhe ish-trajnerin Mirel Josa që ka drejtuar klubin për disa vite dhe për kohën kur dyshohet se janë trukuar ndeshjet sportive. Veç trajnerit në prokurori janë pyetur edhe tre futbollistët, kapiteni Ergest Shehi dhe dy mbrojtësit Marko Radas dhe Bajram Jashanica, të cilët kanë qenë në çdo formacion ndeshjeje. Edhe këta dëshmitarë, të pyetur në prorkurori kanë mohuar se kanë qenë të instruktuar për të shitur ndeshjen apo kanë paracaktuar rezultatin me tolerim gjatë garës sportive.
Hetimet e prokurorisë, mësohet se kanë nisur me iniciativë të saj pas publikimit në media të raportit të Komisionit të Disiplinës dhe Apelit në UEFA. Në total, në raport dyshohet se janë trukuar 53 ndeshje në gjashtë vitet e fundit, mes tyre 41 në kampionatin shqiptar.
Po ashtu, për trukim të rezultatit dyshohen edhe disa ndeshje në Kupat e Europës dhe Ligës së Kampionëve gjatë vitit 2016. Mbi bazën e tkëtyre dyshimeve Komisioni i Apelit në UEFA vendosi të pezullojë Skënderbeun për një vit nga të gjitha kompetcionet ndërkombëtare. Ndërsa vet klubi korçar ka hedhur poshtë këto akuza./b.d