Një student nga Tirana ka tentuar të rrëmbejë një vajzë mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Saukut në kryeqytet.
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, por ndërkohë është arritur të parandalohet falë ndërhyrjes në kohë të forcave të rendit.
Fillimisht vajzës i kanë ardhur në ndihmë disa kalimtarë të rastit, por nga ana tjetër ajo kishte telefonuar më parë policinë, duke denoncuar përndjekjen, duke qenë se kishte pikasur të riun që e ndiqte.
Policia e Tiranës tha dje se shërbimet e Komisariatit Nr. 1 arritën të arrestonin në flagrancë studentin 21-vjeçar Irind Kateshi, i cili akuzohet për “përndjekje”. Ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, adoleshentja Xhoena N. u paraqit në komisariat ku denoncoi edhe me shkrim ngjarjen.
Në kallëzimin e dhënë adoleshentja ka deklaruar se prej kohësh përndiqet nga ana e shtetasit Irind Kateshi, duke i krijuar gjendje frike e ankthi dhe pasiguri për jetën.
Menjëherë pas telefonatës së 18-vjeçares dhe adresës së dhënë nga ana e saj, shërbimet më të afërta të Komisariatit Nr.1 janë nisur drejt vendngjarjes.
Në momentin që policia ka mbërritur aty, ka parë që disa persona i kishin ardhur në ndihmë denoncueses, ndërsa personi i dyshuar po tentonte të largohej me makinën e tij tip “BMW X6”.
Policia i ka bërë shenjë të ndalojë dhe 21- vjeçari Kateshi është bindur. Më pas ai është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1, ku është marrë në pyetje rreth ngjarjes, derisa në orën 02:00 të ditës së djeshme i është komunikuar arrestimi me akuzën e përndjekjes.
Vetë i arrestuari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se thjesht ka dashur të bisedojë me adoleshenten dhe t’i kërkonte asaj një lidhje dashurie, pasi e pëlqente./Panorama/a.m.