Prokuroria e Tiranës është në pritjen e rezultateve të analizave të gjakut të 37 nga140 personat, që u helmuan në mitingun e Partisë Demokratike të shtunën e kaluar. Kampionët e gjakut të pacientëve që u paraqitën në urgjencë për ndihmë mjekësore, u dërguan në një laborator të specializuar në Gjermani.
Analizat pritet të përcaktojnë qartë, nëse helmimi ka ardhur nga ndonjë substancë helmuese apo lëndë kimike dhe në varësi të përgjigjeve do të orientohen edhe veprimet e mëtejshme hetimore. Deri atëherë, prokurorët duket se janë të kufizuar në hetimin e çështjes, pasi provat materiale dhe dëshmitë e të lënduarve janë marrë në momentet e para menjëherë pas ngjarjes së shënuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Në dosje janë administruar deklarimet e personave që u lënduan në miting, ndërsa janë sekuestruar prozhektorët që u përdorën për ndriçimin gjatë aktivitetit elektoral, pasi ka dyshime se janë shkaktarë të helmimit.
Burimet thanë se ndriçuesit nuk janë çuar ende për analizim, por një veprim i tillë do të kryhet në një moment të mëvonshëm.
Prokuroria e regjistroi ngjarjen në fjalë si pengim të subjekteve zgjedhore, pasi ka dyshime se ka patur tentativë për të penguar zhvillimin normal të aktivitetit elektoral. Më herët policia e Tiranës e referoi ngjarjen për veprën penale të ndotjes së ajrit. /balkanweb/b.d