Petrit Çakrri, i njohur për një nga dëshmitë kryesore në vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, duket se nuk i ndahet dot problemeve me drejtësinë.
Pas disa preçedentëve të mëparshëm, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me armë me policinë, së fundmi Çakrri mbahet i arrestuar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Më konkretisht, ai akuzohet se i ka marrë një biznesmeni nga Vora një shumë prej 4.4 milionë lekësh të reja. Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit, Çakrri i kishte vajtur në dyqanin e tij në Vore dhe i ishte prezantuar si tregtar.
Në bisedë e sipër Çakrri i kishte premtuar biznesmenit se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira se tregu dhe për këtë i duheshin 4.4 milionë lekë të reja, raporton Top Channel.
Për t’i dhënë këtë shumë, biznesmeni udhëtoi nga Vora në Tirane dhe pasi dorëzoi shumën e kërkuar nuk pati më asnjë kontakt me Petrit Çakrrin.
Pas denoncimit në polici, Çakrri u ndalua, ndërsa në seancën e parë në Gjykatën e Tiranës ai dhe avokati mbrojtës kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pranuar dosjen e prokurorisë.
Nisur nga shuma e përfituar nëpërmjet mashtrimit, kjo vepër klasifikohet me pasoja të rënda dhe parashikon dënime mbi 7 vite burg./a.m.