Pak pasi u finalizua operacioni policor i koduar “Bujtina” në Sukth të Durrësit si dhe u arrestuan katër persona për shfrytëzim prostitucioni, dalin edhe emrat e dy tutorëve, njëri pronar i lokalit në Sukth, ndërsa tjetra, ndërmjetësuesja mes tij e vajzave.
Gazetarja Dorjana Bezat zbardh edhe skemën e rekrutimit të vajzave. Ajo raporton për BalkanWeb se Pren Bushaj, 66-vjeçari, pronari i lokalit, person i dënuar edhe më herët për kultivim narkotikësh bashkëpunonte me Sanije Gaxhorrin, e cila e ndihmonte në rekrutimin e vajzave.
Ata kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin dhe fillimisht i punësonin vajzat si kameriere, e më pas i shfrytëzonin në ambientet e lokalit të paregjistruar dhe pa emër, si prostituta kundrejt një pagese 2 mijë-3 mijë lekë.
Në këtë lokal policia dyshon se janë shfrytëzuar rreth 10 vajza. Mësohet se klientët kanë qenë të rastësishëm. Pasi frekuentonin lokalin ata njiheshin me ofertën e Pren Bushaj, për vajzat që mund të gjenin aty kundrejt pagesës.
Gjatë kontrollit të policisë në lokal, u arrestua edhe një klient, si dhe një vajzë e shfrytëzuar për prostitucion.
a.ç