Një luftanije ruse ka hedhur katër raketa në drejtim të pozicioneve të të ashtuquajturit Shteti Islamik pranë qytetit sirian të Palmiras, raporton BBC. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, sulmi me raketa kishte në shënjestër militantët e grupit ekstremist të zhvendosur nga bastioni i tyre në Raqqa dhe artilerinë e rëndë në Palmira.
Ministria ruse konfirmoi se raketat kishin goditur objektivat e tyre. Forcat qeveritare siriane morën kontrollin e qytetit të Palmirës me ndihmën e Rusisë në muajin mars por luftimet vazhdojnë në zonat që ndodhen afër qytetit. Rusia informoi Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe Izraelin për sulmin mbi militantët e ISIS para se të hidhte raketat. Megjithëse Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë kryer sulme kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në Siri, Moska vazhdon të mbështesë forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad.
Nga ana tjetër Uashingtoni dhe Ankaraja po mbështesin grupe të ndryshme rebele në vendin e shkatërruar nga lufta. Në fillim të muajit Rusia, Irani dhe Turqia ranë dakord për krijimin e katër zonave të sigurta në Sirinë perëndimore në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës rebele. Rusia ka kryer sulme ajrore dhe me raketa në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad që nga shtatori i vitit 2015.
a.ç