Nxitimi për të futur rrobat në lavatriçe apo një pakujdesi me zjarrin gjatë dimrit mund të na ketë kushtuar shtrenjtë. Paratë nëpër xhepa, mund të jenë dëmtuar.
Nuk e dimë sesi keni vepruar ju në këto raste megjithatë, dijeni se ka një zgjidhje.
Ekziston një vendim, nr 57, datë 11.9.2013 “Për miratimin e rregullores për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare të dëmtuara”.
Banka e Shqipërisë, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë rregullore, këmben kundrejt vlerës së tyre nominale kartëmonedhat lekë të dëmtuara në rastet kur:
1. ekziston më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës;
2. ekziston jo më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës, por kartëmonedha, për arsye madhore që nuk varen nga përdoruesi, është djegur, përmbytur apo dëmtuar dhe pjesët e munguara të kartëmonedhës janë shkatërruar plotësisht.
Aplikanti duhet të paraqesë një deklaratë me shkrim që shpjegon burimin e dëmtimit në rastin kur kartëmonedhat e paraqitura për këmbim janë të njollosura me bojë, të ndotura, të përmbytura ose të dëmtuara në mbi 50% të sipërfaqes së tyre.
Në rastin kur ekziston jo më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës, përveç kërkesave të pikës 2 të këtij neni, Banka e Shqipërisë mund t’i kërkojë aplikantit paraqitjen e dokumenteve shtesë nga organet kompetente ose nga organet e pushtetit vendor, mbi burimin dhe rrethanat e dëmtimit./a.ç