Po ja që ca analistë të ditëve tona, që hiqen si me kulturë të gjerë “perëndimore”, jo vetëm nuk u kujtuan për fjalën e urtë të latinëve të moçëm, por ‘harruan” edhe zakonin e lashtë të shqiptarëve, sipas të cilit i vdekuri përcillet me një solemnitet të veçantë për në banesën e fundit. Këta tipa arritën deri atje sa ta kritikojnë edhe qeverinë për ceremoninë mortore që realizoi ajo për nder të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, duke i konsideruar ceremoni të tilla jo të zakonshme për shkrimtarët dhe artistët. (?!)
Një ide e tillë zbulon jo thjesht karakter të dobët e ligësi të kritikëve të Dritëroit tonë, por edhe injorancë në njohjen e vlerave dhe të rolit të letërsisë e të arteve në rrjedhat e historisë botërore. Se kjo histori ka dëshmuar që pak emra politikanësh e udhëheqësish u kanë rezistuar dallgëve të kohës. Ndryshe ka ndodhur me emra shkrimtarësh, filozofësh e shkencëtarësh, si Homer, Aristotel, Virgjil, Dante, Kopernik, Shekspier, Gëte Volter, Hygo, Tolstoi, Ajnshtajn e të tjerë, veprat e të cilëve ndriçojnë edhe në ditët tona mendjet e njerëzve’.
Por karakteri i dobët, ligësia dhe injoranca e “kritikëve” të shkrimtarit bëhen bashkë, kur ata, në emër të luftës “kundër komunizmit”, nuk merren me analizën e veprave të Dritëro Agollit, por me funksionet politike të tij në vitet e socializmit dhe pas përmbysjes së pushtetit popullor, kur ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor.
Këtë ide, sa qesharake aq dhe djallëzore, që e ndan shkrimtarin e madh nga vepra e tij, e shpalosi në fillim analisti Artur Zheji, të cilit ia mbajti ison edhe pedagogu i gazetarisë Mark Marku e të tjerë. Pas këtyre, këtë ide të mbrapshtë do ta shpaloste, si me krenari, edhe Pëllumb Kulla, i cili, në një të përditshme shqiptare, e quante Dritëron “kryecensor i regjimit stalinist shqiptar” (?!), “kryeroje e linjës politike në letërsi dhe arte”, “bashkëfajtor me regjimin”. (?!)
Por shpifje të tilla monstruoze, që duken edhe si akuza cinike pas vdekjes së shkrimtarit të madh, nuk i hanë as qentë, siç thonë shqiptarët. Ato nuk mund t`i besojnë njerëzit që e kanë njohur e jetuar funksionimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në vitet e socializmit. Ndaj, për ta hedhur poshtë një shpifje të tillë, ndjehem i detyruar t`u kujtoj Kritizerëve të Dritëroit, po edhe dashamirësve të tij, një ngjarje të jetuar.
Në fund të virit 1984, kur Dritëro Agolli ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i pata lënë për të parë një vëllim poetik, të cilin nuk po ma pranonte Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” me “argumentin” se vëllimi ‘ishte i parealizuar artistikisht’. Dhe Dritëroi, pasi e kishte parë dhe pëlqyer, me anë të një letre, i sugjeronte Drejtorit të Shtëpisë Botuese për ta shtypur si vëllim poetik me vlerë.
Veçse ndodhi çudia e madhe, të cilën, me sa duket, nuk mund ta besojnë kritikët e sotëm të Dritëro Agollit: “Mendimi i Dritëroit, më tha atëherë Drejtori Thanas Leci, mund të ketë vlerën e mendimit të një recensenti, por jo forcën për të ndryshuar opinionin tonë për vëllimin tënd”. Dhe ai libër mbeti pa e parë dritën e botimit, zotërinj kritizerë të shkrimtarit tonë të shquar. Dhe kjo tregon qartë se P. Kulla shpifte keq kur e quante Dritëroin “kryeroje e linjës politike në letërsi dhe arte”.
Por duket se “dështakët pa karakter”, siç i quan analisti dhe studiuesi Viktor Malaj kritikët e Dritëro Agollit, janë ndarë në skalione a grupe luftimi në betejën kundër kolosit të letrave shqipe: Skalioni i parë, që ka si ushtarë antikomunistët më të thekur e shpifarakët më të paskrupullt dhe skalioni i ndyrë, në përbërje të të cilit janë zgjedhur ushtarë, që bëjnë sikur e njohin veprën e Dritëroit, ndaj dhe guxojnë ta luftojnë atë me armët e ndryshkura të antikomunizmit, siç kanë bërë edhe me vepra të tjera arti të krijuara në vitet e socializmit.
Midis këtyre të fundit, u shfaq këto ditë edhe Sulejman Gjana, i cili, në “kritikën” e tij ndaj veprës së shkrimtarit, nuk nisej nga kritere shkencore, por nga këndvështrime politike e ideologjike të krijimit letrar. Duke pasur për flamur e “burim frymëzimi’ antikomunizmin, pa u ndalur tek ndonjë rast konkret, ai e quan veprën e Dritëroit “thellësisht ideologjike”, që qenka krijuar mbi bazën e parimeve të metodës së realizmit socialist.
Dhe, pa sjellë asnjë titull nga veprat e shkrimtarit, kritizeri antikomunist thotë një marrëzi që i çudit shqiptarët, kur thekson se “krijimtaria e Dritëro Agollit i ka kontribuar diferencimit klasor (?!) dhe përçarjes ndër shqiptarë”. (?!) Se këto ide të mbrapshta nuk i gjejmë as tek romanet “Njeriu me top”, “Komisari Memo”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe as tek poemat madhore “Devoll, Devoll”, “Baballarët”, “Nëntoriada” dhe “Nënë Shqipëri”.
Por, siç merret vesh lehtë, sulmi ndaj Dritëro Agollit dhe, në mënyrë të veçantë, ndaj krijimtarisë së tij në prozë e poezi, ka qëllime politike. Kritikët e tij kanë si qëllim kryesor errësimin e faqeve më të lavdishme në historinë e Shqipërisë: Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe epokën e transformimeve të thella ekonomiko-shoqërore në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur udhëhiqte PPSH me Enver Hoxhën në krye, kur Shqipëria, siç pohonte edhe Fan S. Noli, kaloi nga errësira në dritë!
Këtë qëllim të zi, që fyen dinjitetin e antifashistëve shqiptarë, që fyen gjakun e partizanëve legjendarë, po edhe ndërtuesit e Shqipërisë se Re pas 29 Nëntorit të vitit 1944, zbulohet qartë edhe nga një pohim i Sulejman Gjanës në “Gazeta Shqiptare”, ku ai shkruan: “Glorifikimi prej tij (i Dritëro Agollit-shënimi im) i të ashtuquajturës Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare… (?!) e bën atë poet dhe shkrimtar të popullit komunist”…(?!)
Është kjo arsyeja që, duke e dëgjuar këtë intelektual të thotë marrëzira të tilla, shqiptarët e ndershëm pyesin me habi: Si guxon Sulejmani të dalë edhe kundër Doktor Berishës për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare? Se Doktori gati sa nuk ka kopjuar Enver Hoxhën, kur, në mesazhin drejtuar parlamentit shqiptar në vitn 1994, pohoi: “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një ndër epopetë më të ndritshme në historinë e kombit shqiptar…Partizanët shqiptarë…, pas një sage vuajtjesh…, ia dolën ta çlirojnë vendin dhe ta renditnin Shqipërinë në koalicionin antifashist botëror”.
Këto të vërteta, me sa duket, nuk mund t`i pranojnë kritikët e ish komunistit Dritëro Agolli. Këta partizanë të “artit për art”, ashtu si lakuriqët e natës, i tmerron drita e të vërtetës. Ata nuk duan t`ia dinë se edhe Dante Aligeri rezervonte rrathët më të nxehtë të ferrit për ata që në kohë krizash mbajnë neutralitet. Nuk duan t`ia dinë se edhe Italo Kalvino deklaronte: “Ne mendojmë se angazhimi politik, mbajtja anë…, akoma më shumë se sa një detyrë, është një domosdoshmëri e natyrshme për çdo shkrimtar”.
Por, çuditërisht, kritikët antikomunistë të shkrimtarit më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI- Dritëro Agollit, megjithëse hiqen si intelektualë me kulturë të gjerë, bëjnë sikur nuk e dinë që shkrimtarët dhe artistët e të gjitha kohërave kanë pasqyruar në veprat e tyre realitetin objektiv që kanë jetuar, rrethana të caktuara historike me dritëhijet e tyre.
Këta bëjnë sikur e kanë harruar pohimin lapidar të poetit të madh gjerman, Gëte, i cili shkruante: “Poezitë e mia janë që të gjitha poezi të rrethanave. Ato frymëzohen nga realiteti dhe tek ai mbështetën. Unë s`kam ç`i dua poezitë që nuk mbështetën gjëkundi”.
Në përputhje me këtë logjikë, kritikët anglezë të artit nuk mund ta “qortjnë” Shekspirin, siç bëjnë dështakët tanë antikomunistë me Dritëro Agollin, se tha për Anglinë e kohës së tij:
“Këtu floriri është i mjaftë
Ta bëjë të zezën të bardhë,
Çdo gjë të ndyrë-mrekulli,
Çdo turp ta kthejë në hijeshi”
Edhe kritikët francezë të artit nuk mund të tentojnë ta nxjerrin nga historia e artit francez poetin e madh Pol Elyar, vetëm se ky shkroi:
“E urrej mbretërinë e borgjezëve, natyrisht,
Këtë mbretëri spiunësh e priftërinjsh;
Por qindra e qindra herë më shumë,
Urrej ata që s`e urrejnë si unë”.
(Vëllimi “Duart e lira”, f. 53)
Dhe nga kjo strofë lapidare, e përkthyer mjeshtërisht nga Dritëroi ynë, duket se të dy këta poetë, Pol Elyar dhe Dritëro Agolli do të jetojnë në përjetësi, kurse kritikët e tyre do të mbeten anonimë! Se, siç thoshte Lenini, kur shpotiste kritikët e Karl Marksit, “Mund të ndodhë që shqiponjat të ulën deri tek pulat, por asnjëherë pulat nuk do të ngrihen gjer tek shqiponja”.