Për të rinjtë kryeqytetas, të cilët nuk kanë eksperiencë pune, Bashkia e Tiranës ka nisur aplikimin e një projekti pilot, që do t’u mundësojë atyre të kryejnë praktikën e paguar nga bashkia pranë bizneseve private për 3-6 muaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj lançoi nisjen e projektit që do të mbështesë një grup prej 40 të rinjsh dhe të rejash për të bërë 6 muaj praktikë pranë sipërmarrjeve private të paguara nga Bashkia.
“Kur fillon punën, së pari të shohin diplomën, po gjëja e dytë thonë sa eksperiencë ke. Dhe ti thua me mendjen tënde, po mirë, më fal, në qoftë se unë s’filloj me asnjë vend, unë si do kem eksperiencë dhe s’ka se si i përgjigjem kësaj pyetje po s’fillova diku. Sot në fakt ne adresojmë pikërisht këtë, pra duam t’i përgjigjemi kësaj pyetje. Duke nisur nga nesër, ne jemi të hapur për aplikime ku duhet të paraqitesh vetëm një CV tek Pritja e Popullit në Bashkinë e Tiranës, dhe vetëm fushën ku do të doje të punoje. Bashkia e Tiranës për 3-6 muajt e parë, në varësi të cilit opsion do zgjidhni do paguajë atë që është rroga minimale shtetërore, 240 mijë lekë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se për herë të parë do të ketë një punë praktike për të marrë eksperiencë dhe njëherësh edhe të paguar. “Ajo që na ka ndodhur shpesh në Shqipëri, që edhe kur bëheshin këto praktika, ishte një lloj skllavërie pa pagesë, ku dikush , një sipërmarrës i merrte e thoshte, e mirë faleminderit 6 muaj por nuk do të marr. Sot po e ndryshojmë këtë model, ne kemi caktuar një buxhet nga Bashkia e Tiranës për të hequr rrogat për 6 muaj për këta 40 vetë, sipas fushave ku ata duan të punësohen, por unë them që realiteti sot është dita me natën me disa vite më parë”, theksoi Veliaj.
Veliaj ftoi të gjithë ata profesionistë të cilët kanë një zanat që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të filluar një karrierë të re. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se kjo është edhe një mënyrë për të nxitur të gjithë ata të rinj dhe të reja që të zgjedhin profesione të cilat kërkohen nga tregu i punës.