Prej 27 vitesh, është bërë e rrugës tashmë që në Shqipëri konstatohen probleme të shumta me listat e zgjedhësve, në çdo proces elektoral. Në çdo palë zgjedhje, problemi i listave ka shërbyer si argument për akuza dhe kundërakuza politike midis palëve në proces. Në shumë raste, humbësit ia kanë faturuar rezultatin problemeve me listat.
Por, pavarësisht akuzave dhe betejave politike, ligji i njeh të drejtën qytetarëve t’i drejtohen gjykatave me kërkesa të posaçme nëse nuk gjejnë të pasqyruar emrin në listat e votuesve. Kjo është një praktikë që ndiqet para çdo gare elektorale në Shqipëri.
Çdo palë zgjedhje, qindra qytetarë që pas verifikimit kanë konstatuar se nuk kanë emrin në listat e votuesve, i janë drejtuar gjykatave. Aty pasi është bërë konstatimi se u është hequr emri padrejtësisht, qytetarët janë futur në lista dhe kanë fituar të drejtën për të votuar.
Po për garën e 25 Qershorit, a janë vërejtur probleme me listat? Deri tani nuk ka pasur pretendime, të paktën jo publikisht, pasi beteja ka qenë e fokusuar tjetërkund. Por, as nga qytetarët nuk rezulton të ketë pasur kërkesa në gjykatë për leje votimi? Pas verifikimeve të kryera nga JavaNews në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës, rezulton se asnjë kërkesë nuk është depozituar nga qytetarët për të ashtuquajturat “leje votimi”.
Lista perfekte, apo qytetarë indiferentë, kjo është një pyetje që zor t’i jepet përgjigje e saktë. Ndoshta qytetarët kanë qenë iniderentë për shkak të tensionit të këtyre 3 muajve dhe paralajmërimeve për bojkot nga opozita. Ndoshta listat këtë herë rezultojnë të rregullta, kjo është një përgjigje që mund ta marrim vetëm në vijim. Gjithsesi, gjykatat janë të gatshme para votimeve për të trajtuar ankesat. Në proceset e shkuara elektorale, në gjykata janë paraqitur qindra qytetarë dhe kanë rifituar të drejtën për të votuar./JavaNews/a.m.