Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë po punojnë për ndërtimin e një linje të re ujësjellësi në Njësinë Administrative Nr. 9 në Kryeqytet, përkatësisht në rrugët “Sulejman Pasha” dhe “Ded Gjo Luli”.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla dhe nga kandidatja për deputete e PS, Ogerta Manastirliu, inspektuan punimet që po kryhen në këtë zonë dhe theksuan se krahas investimeve madhore, tashmë Bashkia ka nisur punën për shtrirjen e investimeve edhe në nivel kapilar në çdo lagje.
“U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që po punojnë në kohë rekord në Njësinë 9. Vitet e fundit kjo zonë është rritur shumë në popullsi, që do të thotë se kjo rritje nuk ka korresponduar me nevojën për furnizim më të madh me ujë të pijshëm. Tani jemi duke hyrë në nivel kapilar lagje më lagje, për rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë të pijshëm. Nuk mjafton që të bëjmë vetëm dy investime madhore në zonë, Sheshin Skënderbej dhe Bulevardin e Ri, por është shumë e rëndësishme që cilësia e jetesës të rritet në nivel kapilar brenda në lagje dhe në komunitet”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës u dha një lajm të mirë të gjithë përdoruesve të biçikletave. Pas përfundimit të projektit për ndërtimin e Sheshit “Skënderbej” dhe të Bulevardit e Ri, bashkia do të nisë menjëherë punën për ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat. “Do të ndërhyjmë në korsitë e biçikletave përgjatë rrugës “Mine Peza”, që lidhja nga Lapraka ose nga sheshi “Shqiponja” ku fillojnë korsitë e biçikletave, deri në sheshin “Skënderbej”, të vijojë e pandërprerë përmes Zogut të Zi, e pastaj të vazhdojë te “Mine Peza”. Ai që do të përdorë biçikletën, do ta bëjë këtë në mënyrë të mbrojtur, me një korsi të dedikuar”, tha Veliaj, duke shtuar se përmes investimeve të tilla, do të rritet numri i atyre të cilët do të preferojnë që të përdorin transportin alternativ, duke ulur edhe ndotjen në qytet.
Veliaj ftoi banorët e kryeqytetit që të zgjedhin sa më parë administratorët e pallateve dhe të përfitojnë nga mundësitë që ka krijuar Bashkia e Tiranës përmes “Fondit të Komuniteteve” për realizuar ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës në lagje apo në pallate. “Ftoj të gjithë banorët që, së pari të zgjedhin administratorin e pallatit. Me të zgjedhur administratorin e pallatit, të vijnë në bashki dhe brenda javës u japim përgjigje me 50 për qind të investimit që kërkojnë të bëjnë në lagjen e tyre, qoftë një fasadë, eficencë energjetike, panele diellore, një suva apo një lyerje estetike të pallatit, si e vetmja mënyrë që kjo zonë, e cila është në qendër të Tiranës, të marrë vlerën e pronës që meriton”, tha Veliaj.
Kandidatja për deputete e PS, Ogerta Manastirliu e vlerësoi si tepër të rëndësishëm investimin e Bashkisë së Tiranës për furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm të qytetit. “Më së fundmi, blloku mes “Mine Pezës” dhe rrugës “Fortuzi” ka një investim, i cili është një investim thelbësor në furnizimin me ujë të pijshëm dhe rrjetin e kanalizimeve. Përgjatë Njësisë 9 janë duke u zhvilluar projekte të infrastrukturës të kanalizimeve, të ujësjellësit, por edhe të mirëmbajtjes së zonave të gjelbra dhe të shtimit të gjithë hapësirave publike në funksion edhe të jetës komunitare. Ndaj, do të duhet që të vazhdojmë edhe më tej pasi të gjitha këto sot janë shumë sensitive për banorët dhe për komunitetin e kësaj zone autoktone në Tiranë”, tha Manastirliu.
Rritja e kapaciteteve të transmetimit të ujit nëpërmjet ndërtimit të linjave të reja që janë ndërmarrë në të gjithë territorin e bashkisë Tiranë, prej më shumë se një viti, kanë shtuar kohën e furnizimit me ujë të pijshëm si dhe kanë eliminuar humbjet në rrjet. /b.d