“Shqipëria ka ndryshuar dhe vijon të ndryshojë. Shqipëria e vitit 2017 është shumë më e mirë, më e fortë dhe më e sigurt se Shqipëria e vitit 2013. Ne ndalëm krizën, rënien, kaosin, dëshpërimin dhe nisëm rimëkëmbjen, ndërtimin, rimodelimin ekonomik, konsolidimin e parametrave makroekonomikë e fiskalë dhe trajektoren pozitive të rritjes”.
Kjo është vetëm një frazë e programit elektoral që PS do të prezantojë në terren.
Ne nje dokument 35 faqe, PS sjell platformen e PS për mandatin e dytë qeverisës me 6 pika.
1. Shqipëria që duam
2. Nga një realitet i dhimbshëm
3. Në një Shqipëri të ndryshuar
4. Premtime të mbajtura
5. Premtime për të cilat po punojmë ende
6. Shqipëria jonë në vitin 2021
Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Sepse e duam Shqipërinë dhe jemi këtu, në këtë parti, për Shqipërinë që Duam!
Ekonomia
Delikate është çështja e ekonomisë, por për PS kjo pikë gjen zgjidhje dhe premtimi është optimist, ekonomia do te rritet me 5.5%.
“Në katër vitet e mandatit tonë të dytë, ekonomia do të rritet deri në 5.5 përqind.
Ekonomia do të bëhet një markë e konsoliduar “Made in Albania” në shumë sektorë.
Produktet bujqësore, cilësore dhe të shtuara në llojshmëri e sasi, do të konsolidohen në tregjet aktuale, do të gjejnë e konkurrojnë në tregje të reja”, citon programi elektoral.
Duke bërë një rezyme sipas socialistëve, sesa e shkatërruar ishte Shqipëria në të gjitha fushat, programi elektoral sjell ndryshimet që ka pësuar në këto 4 vite.
Pikë interesante e programit është dhe ajo e premtimeve të mbajtura për të kaluar më pas tek premtimet që do të realizohen.
Ja Premtimet
Shqipëria jonë në vitin 2021
Ne punojmë për një Shtet për të gjithë, për më shumë punësim, zhvillim ekonomiko-social dhe mirëqenie. Modeli ynë ekonomik, i mbështetur tek politikat zhvilluese dhe reformat strukturore po nxit punësimin dhe biznesin e ndershëm, promovon konkurueshmërinë dhe inovacionin, po mbron dhe përmirëson shëndetin, arsimimin, emancipimin dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve, mbështet mundësitë e barabarta, të drejtat e detyrimet e barabarta, mbron familjen, mbështet qytetarët në betejën e vazhdueshme kundër varfërisë, abuzimet e pushtetit, dhunës dhe padrejtësive, krijon shtetin e mirëqënies sociale.
Si nismëtarë dhe protagonistë të vendosur të reformës në drejtësi, ne besojmë se zbatimi i saj çliron energji e potencial të pafundëm shoqëror e ekonomik për qytetarët shqiptarë, për sipërmarrjen shqiptare, e në të njëjtën kohë, lartëson imazhin e Shqipërisë si një vend i denjë për familjen Europiane.
Socialistët Shqiptarë janë të vendosur që me përgjegjshmërinë dhe modestinë, këmbënguljen, qartësinë dhe moralin e forcës sonë politike të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes për Shqipërinë që duam.
Ne, besojmë në politika sociale dhe ekonomike në harmoni të plotë me konsolidimin fiskal, shërbimet publike cilësore, zhvillimin e kapitalit njerëzor si pasuria më e madhe e një kombi, riaftësimin dhe mbështetjen për shtresat në nevojë, vazhdimin e marrëdhënies dhe bashkëpunimit me biznesin si një partner i denjë drejt zhvillimit dhe nxitjes së sektorëve me potencial ekonomik për më shumë punësim dhe mirëqenie.
Rritja ekonomike 5.5 përqind e PBB-së
Gjatë katër viteve të ardhshme, ne garantojmë një rritje ekonomike mesatare 4.5 përqind për të arritur në 5.5 përqind në fund të mandatit të dytë. Rritja do të garantohet nga konsolidimi i reformave të ndërmara në mandatin e parë, zbatimi i politikave të duhura sektoriale, shtimi i investimeve vendase dhe të huaja në ekonomi dhe rritja e konsumit të popullatës, përmirësimi i cilësisë së kapitalit njerëzor. Rritja e besimit tek shteti i të githëve, tek ekonomia dhe tek e ardhmja europiane, është themeli i suksesit tonë.
Ulim Borxhin Publik nën 60 përqind të PBB-së
Borxhi i lartë publik është një kërcënim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjatë. Ne jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se çmimin më të lartë të një borxhi publik të lartë e kërcënues, e paguajnë shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta, veçanërisht shtresat në nevojë.
Me politikat tona të kujdesshme, ne garantojmë një defiçit buxhetor nën nivelin 2 përqind dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 60 përqind.
Ne jemi të vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal. Ne do të garantojmë vazhdimin e financimit të investimeve publike në rreth 5% të PBB-së. Ne jemi të vendosur për të vazhduar me përdorimin e instrumenteve të tilla financiare, si Partneriteti Publik Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për publikun.
220 mijë vende të reja pune
Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i reformës në drejtesi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të mundësojnë krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë.
Ne e konsiderojmë punësimin si një e drejtë e patjetërsueshme e çdo qytetari të aftë për punë. Ne e konsiderojmë punën dhe punësimin si mjetin e parë e të patjetërsueshëm në luftën kundër varfërisë dhe uljen e pabarazisë. Nëpërmjet politikave sociale për barazinë gjinore dhe progameve të riaftësimit dhe punësimit profesional, do të synojmë rritjen e mëtejshme të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe reduktimin e hendekut gjinor në paga. Fokusi ynë do të mbetet punësimi i të rinjve me formimin e duhur profesional. Gjatë katër viteve të ardhshme ekonomia jonë do të krijojë mundësi që norma e papunësisë të ulet për herë të parë nën nivelin dyshifror (8.2 përqind) pas më shumë se dy dekadash.
25% rritje e të ardhurave të disponueshme të popullatës;
Fondi i pagave në sektorin publik rritet me 68 miliardë lekë!
Modeli ekonomik që po ndërtojmë synon rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve vendase. Rritja e prodhimit vendas, rritja e punësimit, rritja e produktivitetit të punës si dhe lufta kundër informalitetit, do të mundësojnë që njerëzit të fitojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta. Ne do të lehtësojmë barrën fiskale në 18 përqind, për të ardhurat nga pagat e niveleve të larta. Beteja jonë me informalitetin do të vazhdojë, në emër të mbrojtjes së punës dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët por edhe të garancisë se merita dhe profesionalizmi do të marrin shpërblimin e duhur. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër pabarazisë dhe kundër varfërisë.
Ne jemi të vendosur për përmirësimin e shërbimeve publike dhe, si një masë të rëndësishme në këtë drejtim, konsiderojmë edhe rritjen e pagave në të. Deri në fund të mandatit, do të rrisim deri në 40 përqind pagat, ku prioritet do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Jemi të bindur se rritja e kapaciteteve njerëzore me profesionalizëm mbetet thelbësore për mirë-qeverisjen e vendit. Ne do të rrisim pagat e administratës publike për të rritur qëndrueshmërinë e institucioneve.
Paga minimale, 30 mijë Lekë
Rishpërndarja e të ardhurave dhe mbrojtja e të drejtave të të punësuarve më vulnerabël në tregun e punës, mbeten qëllime parësore të forcës sonë politike. Ne synojmë mbështetjen maksimale të këtyre shtresave duke konsideruar ruajtjen e balancës së shëndetshme të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.
Politikat tona fiskale synojnë ngushtimin e pabarazisë në harmoni me nxitjen e rritjes ekonomike. Ne kemi qenë dhe jemi për taksa të ndershme e të drejta, ku ata që kanë më shumë mundësi, kontribuojnë edhe më shumë për kostot e shoqërisë. Brenda mandatit të dytë, paga minimale do të arrijë 30 mijë lekë.
Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliard lekë;
7- 10 mijë lekë çdo fundvit për çdo pensionist!
Kujdesi ndaj moshës së tretë gjatë mandatit të parë do të vazhdojë të theksohet edhe në mandatin e dytë. Ndryshimet rrënjësore të sistemit shëndetësor si dhe avancimi drejt mbulimit universal dhe shëndetësisë falas, do të ndikojë sidomos moshat e treta. Përveç konsolidimit të lehtësirave në shërbime ndaj kësaj shtrese, një kujdes të veçantë do t’i jepet trajtimit financiar të tyre. Ne do të konsolidojmë zbatimin e reformës së pensioneve, reformë e cila shpëton skemën e pensioneve nga falimentimi ku po e çonte qeverisja e mëparshme. Ne do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve si dhe angazhohemi për dhënien e shpërblimit në fundvit nga 7 deri në 10 mijë lekë për çdo pensionist, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes. Paketa e solidaritetit në fund të vitit do të jetë një politikë e përhershme e Qeverisë gjatë mandatit të dytë.
5% Tatim-Fitim për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit
Do të stimulojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ku bizneset që investojnë në zhvillimin e saj do të kenë një normë tatimi për fitimin prej 5%, duke synuar afrimin e kompanive të rëndësishme të industrisë.
Teknologjia e informacionit do të ndikojë në rritjen e efiçencës së sektorëve të prodhimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, uljen e kostos së tyre, si dhe në rritjen e punësimit të të rinjve në sektorë me vlerë të lartë të shtuar.
Zhvillimi i kapaciteteve të Teknologjisë së Informacionit do të jetë një nga instrumentet kryesorë të modernizimit të shtetit, për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe cilësore ndaj qytetarëve, si dhe për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin dhe abuzivizmin. Aplikimi i platformave elektronike që minimizojnë kontaktet e qytetarit me administratën, monitorojnë punën dhe afatet kohore dhe shtojnë transparencën për publikun, do të vazhdojnë të jetë prioritet në katër vitet e ardhshme.
Ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë; Njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive të marra për shtëpinë e parë që në fillim të mandatit
Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë Shqipërinë një vend dhe një shoqëri më të sigurtë. Për ne siguria sociale është një e drejtë civile, jo një privilegj dhe siguria fillon në radhë të parë tek familja. Familja është dhe qeliza bazë e sistemit shoqëror dhe mjedisi ku natyrshëm individi gjen paqen e brendshme. Nën moton “Familje e shëndoshë, krijon një shoqëri të zhvilluar”, ne do të kërkojmë të mbështesim të gjithë ata individë që do të kërkojnë të hedhin hapin e parë drejt ndërtimit të familjes duke blerë shtëpinë e parë me anë të një kredie. Në mandatin e dytë qeverisës do të kemi një paketë të plotë të promovimit të rritjes së popullsisë.
Ne do të vazhdojmë të punojmë për uljen e varfërisë, nëpërmjet politikave të zhvillimit ekonomik, realizimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe arsim në përfitim e me përparësi të zonave dhe familjeve të varfra, shënjestrimit më të mirë të ndihmës ekonomike dhe zëvëndësimit gradual të programeve të ndihmës me programe punësimi, në zonat urbane dhe rurale.
Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë tani më shumë mundësi të reja për punësim, jetë dhe integrim shoqëror. Ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre, duke përmirësuar, fuqizuar dhe shtuar instrumentet dhe politikat, e nëpërmjet vlerësimit bio-psiko-social bazuar në standardet ndërkombëtare të klasifikimit, duke ndërthurur skemën e pagesave me shërbime të integruara.
Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave
Ne zotohemi të garantojmë pagë të njëjtë për gratë dhe burrat që kryejnë punë të njëjtë. Sot kemi rreth 50 mijë më shumë gra dhe vajza që punojnë në krahasim me katër vjet më parë.
Do të vijojmë procesin e nisur për fuqizimin ekonomik të grave, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, nxitjes së kreditimit dhe sipërmarrjeve të grave e vajzave, nxitjes përparësore të punësimit e formimit profesional të tyre dhe buxhetimit gjinor në politikëbërje e vendimmarrje.
Ne do të ulim me 10% punën e papaguar të grave, duke rritur aksesin në shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime për gratë rome, egjyptiane, etj.
Do të punojmë për fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale, nëpërmjet uljes së punës së papaguar në sektorin bujqësor, fuqizimit të skemave të subvencioneve dhe shërbimeve të extensionit, rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore e sociale, rritjes së formalizimit e punës së grave, etj.
Ne do të vijojmë të ruajmë nivelin e përfaqësimit të grave me të paktën 40% në vendimmarrje në proceset publike në nivel drejtues dhe proceset ligjvënëse, politikëbërëse dhe planifikuese në nivel qendror.
Fuqizimi i kompetencës ekonomike dhe sociale të rinisë
Ne rritëm punësimin e të rinjve me 4.5 përqind dhe ulëm papunësinë me 3.2 përqind, krahasuar me 2013.
Plotësimi i nevojave për punëtorë të kualifikuar, nëpërmjet arsimit dhe formimit profesional bashkëkohor, në industri, bujqësi e shërbime, të mbështetur në burime publike e private, është rruga kryesore e rritjes së kompetencës sociale dhe ekonomike të rinisë.
Gjatë katër viteve të ardhshme do të rrisim punësimin e të rinjve nëpërmjet mbështetjes së programeve “start-up”, shkollimit dhe formimit profesional; do të rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjet politike; do të ruajmë dhe mbrojmë shëndetin e të rinjve përmes politikave të integruara shëndetësore dhe masivizimit të kulturës sportive.
/a.ç