Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka dënuar rrjedhjen e informacionit në mediat amerikane nga hetimet e Inteligjencës që po kryhen në lidhje me sulmin në Mançester.
Përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump thotë se këto dalje informacioni janë shumë shqetësuese. “Ishin një kërcënim serioz për sigurinë tonë kombëtare”, thotë Trump, duke shtuar se gjatë administratës së tij do të marrë fund dalja në media e informacioneve hetimore.
Deklarata e Presidentit amerikan i referohet rastit të djeshëm kur në mediat amerikane u publikuan fotografi nga skena e krimit në stadiumin në Mançester, ku kamikazi i ISIS vrau 22 persona.
Sikurse mund ta shikoni në foto, bëhet fjalë për prova hetimore të gjetura në vendngjarje dhe që është publikuar nga Neë York Times.
“Këto rrjedhje informacioni kanë vazhduar për një kohë të gjatë. Do t’i kërkoj Departamentit të Drejtësisë dhe agjencive të tjera përkatëse që të fillojnë një hetim për këtë çështje dhe nëse është e nevojshme, fajtori të ndiqet penalisht sipas ligjit.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa marrëdhënia e veçantë midis SHBA-së dhe Mbretësisë së Bashkuar”, thuhet në deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, përgatiti Express. (b.an)