Ish-kryeministri grek, Lucas Papademos , mësohet të jetë plagosur nga një shpërthim me bombë në automjetin e tij.
Makina e ish-kryeministrit të Greqisë Lukas Papademos ka shpërthyer duke e lënë të plagosur atë bashkë me shoferin e tij. Shpërthimi ka ndodhur në një nga rrugët e Athinës.
Mësohet se ish-kryeministri grek ka hapur një zarf-bombë brenda në makinë, i cili ka shpërthyer menjëherë duke e lënë të plagosur.
Lënda plasëse ka qenë brenda në zarf, të cilin Lukas Papademos e ka firmosur dhe e ka marrë vetë nga zyra për ta hapur në makinë, ku ndodhi edhe shpërthimi.
Shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që makina ka qenë në ecje. Ende nuk dihet se çfarë lloj pajisjeje është përdorur për të kryer këtë shpërthim.
Sipas mediave greke gjendja e ish-kryeministrit është e rëndë, pasi ka marrë shumë plagë në të dyja këmbët, bark dhe në duar.
Lukas Papademos ka qenë kryeministër i një qeverie teknike në Greqi nga nëntori i 2011 deri në maj të vitit 2012 në krizën e thellë ekonomike./a.ç