Intervistoi Ben Andoni
Shenasi Rama mbetet një nga emrat më të njohur të Lëvizjes së Dhjetorit dhe vëzhgues i mprehtë i situatës politike në Shqipëri dhe veçanërisht të PD-së, formacionit që ka qenë afër shumë vite të shkuara. Në këtë intervistë, ai flet për marrëveshjen e dy partive kryesore të vendit dhe mundësinë që ajo të mbyllë krizën. “Ishte zgjidhje pragmatike sepse shmangu një krizë më të thellë që vetëm do të përkeqësohej”. Ndërkohë që për Berishën ka një përcaktim të qartë sipas të cilës: “Berisha është i dënuar të jetë në politikë për sa kohë që ka frymë. Askush nuk ia mbron familjen. Grupimi i Bashës etj., u vu në krye të PD-së si i përkohshëm edhe pse kishte besimin e grupeve të interesit jashtë shtetit shqiptar dhe Saliu nuk ia ka besën njeriu. Kështu që do të ketë një kompromis midis grupit që ka dy zotërinj, dhe Saliut që ka hallin e vet”.
Ndërkohë që ai është i pamëshirë me atë që ai e quan paria e Tiranës, duke mos ia kursyer stigmën: “Partitë që të mbijetojnë krizat e tilla, duhet të bëhen parti ideologjike, të ndjekin një zgjidhje të mundshme që iu shërben njerëzve dhe të shmangen nga logjika e lojës së parisë së Tiranës, vëmendja e tepërt për financimin e varësitë e ndryshme dhe nga personalizimi i udhëheqjes. Kriza është aty, zgjidhje nuk ka”, shprehet ai për Javanews.
Si e keni pare marrëveshjen e fundit mes dy partive kryesore në vend, si një përpjekje për të zgjatur forcën e tyre në zgjedhjet shqiptare apo thjesht një zgjidhje pragmatiste?
“Ishte një zgjidhje me interes sepse i shërbeu Ramës për të shmangur koalicionet e mundshme rreth LSI-së dhe për të mbajtur nën kontroll datën etj., çka i lejon të mbetet forcë e parë, i shërbeu edhe Ramës edhe Berishës për të forcuar PD-në e për të mos pasur më shumë rrjedhje drejt LSI-së dhe ishte zgjidhje pragmatike sepse shmangu një krizë më të thellë që vetëm do të përkeqësohej”.
Ka një rol shumë të dyzuar të zotit Berisha në zhvillimet e fundit. A mendoni se po përgatitet ta lerë trashëgiminë e tij politike të paprekur në emrat që do përbëjnë grupimin e ri të PD-së…
“Berisha është i dënuar të jetë në politikë për sa kohë që ka frymë. Askush nuk ia mbron familjen. Grupimi i Bashës etj., u vu në krye të PD-së si i përkohshëm edhe pse kishte besimin e grupeve të interesit jashtë shtetit shqiptar dhe Saliu nuk ia ka besën njeriu. Kështu që do të ketë një kompromis midis grupit që ka dy zotërinj, dhe Saliut që ka hallin e vet. Por Saliu e ka partinë me struktura dyfishe dhe do të shohim nga fron era mbaszgjedhore dhe kush do bëhet kryetar apo kryetare e Partisë Demokratike”.
A mendoni se do të ketë ndonjë mundësi në të ardhmen që partitë e vogla të krijojnë një perspektivë të re në politikën shqiptare…
“Mundësitë janë sepse nuk ka parti të mëdha që nuk kanë qenë të vogla, mirëpo partitë që të mbijetojnë krizat e tilla, duhet të bëhen parti ideologjike, të ndjekin një zgjidhje të mundshme që iu shërben njerëzve dhe të shmangen nga logjika e lojës së parisë së Tiranës, vëmendja e tepërt për financimin e varësitë e ndryshme dhe nga personalizimi i udhëheqjes. Kriza është aty, zgjidhje nuk ka, kanabisi ishte i përkohshëm, ekonomi nuk ka, pakënaqësia është e thellë, partitë janë të diskredituara dhe nevoja për alternativa është e pashmangshme. Varet se si do të sillen, edhe në këto zgjedhje”. (JavaNews)