Nga Lorenc Vangjeli
Eshtë një histori polake që e tregon një nga personazhet më interesantë dhe një nga gratë më të kulturuara të kryeqytetit. Pikërisht për shkak të kulturës, përbuz me stimë aristokrateje politikën dhe duke vuajtur në jetën private për shkak të politikës kolektive, ajo është megjithatë një grua që orienton dhe orientohet me instikt të jashtëzakonshëm në artin e të pamundurës. Zonja nga Tirana tregon për Wladyslaw Gomulkën, udhëheqës polak i pasluftës së Dytë Botërore. Gomulka provoi majën e pushtetit, por dhe burgun, sipas modelit sovjetik me revolucion që hante bijtë. I rikthyer në pushtet në mes të viteve 50-të, Gomulka habiti gjithkënd kur si veprim të parë në liri, zgjodhi t’ju bjerë këmbanave, gjë që ishte një herezi e rëndë në atë kohë për komunistët. Por polakët e përkthyen ndryshe. Me humorin cinik që prodhojnë diktaturat, të shtrënguar të jetonin mes ideologjisë së re dhe besimit të vjetër, mes fesë së komunizmit që udhëhiqte të përditshmen dhe katolicizmit që premtonte të përjetshmen, polakët shpikën shakanë e hidhur që lidhte këto dy skaje: Ave Maria, Ave Partia!
Në Tiranë ka hutesë të madhe për çfarë po ndodh. Dy njerëz, Rama e Basha që duket se nuk mund t’i afronte asgjë tek njëri-tjetri përveç luftës, pikërisht kur pritej më pak, vendosën të bëjnë paqe. Armiqtë, në mos u bënë miq, u shndërruan në partnerë. Këmbanat që po përgatiteshin të binin zymtë në mes të qershorit po zëvendësohen me shpejtësi nga zilka hareje dhe feste. Kush gjuante me gurë dhe baltë anën tjetër, sot shpik arsye se pse palët duhet të jenë afër dhe më afër. Vreri bëhet shërbet dhe sherbeti premtim se do të ëmbëlsojë gjithë dynjanë shqiptare. Saliu qeshte me Pandin në parlament kur priste të votonte qeverinë Rama, ndërsa mes Gramozit në pushtet dhe Jozefinës ish-opozitare nuk dukej gjëkundi “plumbi i munguar ballit” i Saliut. Edhe Saliu, edhe Gramozi, edhe Jozefina, zakonisht të ngrysur në parlament, atë natë qeshnin, kurse Pandi është i qeshur edhe kur është serioz.
Kaq e panatyrshme ngjan e gjithë skena e përmbysur e historisë së zakonshme në Tiranë, sa krahasimet dhe shpjegimet për çfarë po ndodh, nxitohet të gjenden jashtë dhe larg Tiranës. Sipas zakonit dhe traditës, edhe kësaj here nuk i shpëton traditës krahasimi i vjetër me Gjermaninë, së cilës mbasi i lakmohet Benz-i, i admirohet dhe mënyra e qeverisjes me bazë të gjerë. Domethënë me një spektër që shkon nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas. Ka vetëm disa detaje që e tradhëtojnë krahasimin, por askush nuk ka kohë të shohë detaje në këto kohëra. Duke nisur me faktin që në Gjermani ka institucione, kurse në Tiranë shumë-shumë ka vetëm individë, andej ka standart të votës, ka opinion publik, media dhe sistem të konsoliduar gjyqësor. Ka traditë të ngulitur që edhe një plagjiaturë doktorature, e shërben si arsye për të ikur me turp e vrap nga posti i presidentit. Mbi të gjitha në Gjermani ka gjermanë. Edhe Fredi, “çun Tirone, lind’ e rrit ke Brryli”, është bërë gjerman Gjermanie. Kur vjen në Tiranë Fredin e mërzit trafiku me plot buri, pluhur e bujë orientale dhe e habit fakti pse njerëzia që nuk ka punë, del për të bërë “nai xhiro me makin’ ke blloku” dhe pse vajzat vishen çdo paradite sikur është e premte në darkë dhe shkojnë në shkollë nga e hëna në të premte me fustane diskoje.
Por qoftë dhe për këto arsye, Tirana nuk është kurrë një qytet i mërzitshëm sepse është i paparashikueshëm. Shqipëria ul kursin e euros kur ajo ngrihet në të gjithë Evropën, feston kur ka krizë dhe arrin të shesë për dasmorë, zyrtarisht dhe politikisht, edhe ata që shkojnë në mort.
Mbas qershorit mund të ndodhë gjithçka. Më e keqja u shmang: bojkoti i zgjedhjeve nga opozita ishte shkaku që nuk llogariste më pas pasojën që do të godiste padiskutim gjithë vendin. Sot, opozita zyrtare është në bashkëqeverisje dhe është duke festuar zyrtarisht. Me gjashtë ministritë e saj ajo nisi të bashkëqeverisë dhe drejton, kontrollon apo dhe vëzhgon, siç thotë Edi Rama, praktikisht shumicën dërmuese të administratës nën qeverisjen e Ramës. Mbas tre muajsh në çadër opozita po shijon këtë fetë të pabesueshme pushteti që ju dha kur nuk e priste duke mbetur megjithatë peng i keqkuptimit të madh: opozita është shumë më shumë se fanela e Aldo Bumçit, se këmisha e Palokës apo kravata e Nokës, siç gjykonte dikur gjithë ironi vetë Edi Rama.
Pakkush mund të verë bast për horoskopin e nesërm politik. Pakkush mund të llogarisë sot, për shembull, se cila do të kishte qenë historia e Shqipërisë nëse Marrëveshja e Mukjes mes komunistëve dhe nacionalistëve do të kishte funksionuar deri në fund. Mukja e Tiranës së sotme moderne është në provë.
Edhe pse shqiptarët që ftohen për të qeverisur shqiptarët janë të ndryshëm si tullat e një pallati.
Edhe kur destabilizohet euroja internacionaliste, por jo sepse forcohet leku nacionalist.
Edhe kur bien këmbanat në Varshavën e dikurshme, siç kujton zonja e fisme e Tiranës, “Ave Maria, Ave Partia”, është segmenti mes ideologjisë së vjetër dhe besimit të ri që justifikon “të përjetshmen”, thjesht me ankthin e vërtitjes në të përditshme!