Kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë takuar të mërkurën mbrëma në një darkë pune në Bruksel, pikërisht në kohën kur në afërsi te mjedisit te tyre për vizitë po qëndronte presidenti amerikan, Donald Trump, në vizitën e tij të parë në këtë qytet, shkruan Koha Ditore.
Mesazhi i përsëritur i Brukselit ka qenë gjuha e ashpër nacionaliste. Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini tha se BE-ja është e shqetësuar për shkak të rritjes së fjalimeve nacionaliste në Ballkan, sidomos kur kjo vjen nga politikanë të lartë.
Kështu njëra nga arsyet kryesore për këtë takim është se si liderët e vendeve të Ballkanit të gjejnë mënyrën dhe të mësojnë se nuk duhet të këmbejnë mesazhe nacionaliste.
Njëra nga porositë e Mogerinit është se Ballkani është rajon kyç i Evropës dhe për këtë shkak duhet të forcohet perspektiva për integrim në BE.
“Ballkani Perëndimor është rajon kyç i BE-së kryesisht për hkak të sigurisë, parandalimin e radikalizmit, një vend ku kemi bashkëpunim të mirë, për shkak të menaxhimit të refugjatëve dhe kufijve”, u shpreh ajo.
“Unë shpesh them se nuk duhet të bisedojmë për perspektivën e këtyre vendeve për hyrje në Evropë, për shkak se këta vende janë në Evropë. Duhet të bisedojmë për perspektivën e integrimit të tyre në BE dhe pikërisht kjo është tema e darkës”, tha Mogherini.
Para këtij takimi janë mbajtur takime bilaterale të shefes së diplomacisë evropiane me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Edi Rama, përgatiti Express. (b.an)