Nga Ben Andoni
Media kosovare është përqendruar shumë në orët e fundit në imazhin e kryeministrit në hije Haradinaj, që po mundohet të kapë si duhet të gjithë inercinë e empatisë së madhe që po e shoqëron lirimin e tij nga gjykimi francez. Ai, vetë, i vetëdijshëm për këtë gjendje mundohet të shfaqet si njeriu i vërtetë i popullit dhe shpëtimtari i ri i Kosovës. Në një takim elektoral të orëve të fundit, kandidati për kryeministër i Kosovës shmanget një dekik nga organizatorët dhe i ofron vetë karrigen një djali që duket i lënduar. Në një takim tjetër përshëndet të gjithë rreshtin e parë duke u bërë qoka nderi. Asnjë mea culpa për gjendjen e Kosovës, asnjë ide e qartë për zhvillimin e Kosovës. Fjalë. Fjalë. Fjalë pafund. Me elementë të tillë, por që në thelb, të kujtojnë atë shprehjen që ne shqiptarët e kemi shumë për zemër gju më gju me popullin, njësoj si ai, kandidatët që mëtojnë të jenë kryeministra të Kosovës po mundohen t’u tregojnë qytetarëve të tyre se ata janë ndryshe.
Megjithatë mjaftoi ideja për një debat televiziv të tre kandidatëve për kryeministër, ku njerëzit mund të shikonin realisht stofin e tyre dhe mënyrën sesi do t’i drejtonin që të zhgënjenin. Të parët që e braktisën debatin ishte koalicioni që e ka nxjerrë Haradinajn si primat. Justifikimi ishte qesharak, sipas të cilit KPM s’i lejonte. Për hir të së vërtetës, e ashtuquajtura kërkesë e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) që mediat kosovare të mos organizojnë debate të natyrës elektorale jashtë afatit zyrtar të përcaktuar në periudhën e zgjedhjeve, nuk është përfillur deri më tani nga mediat audiovizive. Për më shumë akoma, vendimi i KPM-së iu drejtohet mediave, e jo subjekteve politike, ndaj jo më kot këto vazhdojnë debatet. Porse Haradinaj nuk u mendua dy herë. Iu shmang debatit duke i devijuar realisht atë që presin qytetarët prej tij, duke u përballur me argumentat kundër.
Për ata që se dinë Ramush Haradinaj është prezantuar si kandidat kryeministër nga koalicioni parazgjedhor ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën; Abdullah Hoti është mëtonjës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me Aleancën për Kosovën e Re dhe Alternativën; e Albin Kurti është i vetëm bashkë me formacionin e tij Lëvizja Vetëvendosje.
Ndër ta, Ramush Haradinaj është i vetmi që është provuar në këtë post për vetëm pak sepse ka punuar rreth 100-ditë në kohën e Rugovës. Nuk mundi më tej, sepse duhej të paraqitej në Hagë, porse në ato tre muaj u pa një vullnet i tij për të ndryshuar diçka. Jo në thelb por në formë. Abdullah Hoti është një teknokrat dhe e njeh më mirë se Haradinaj dhe Kurti shtetin dhe funksionimin e tij sepse ka formim ekonomik, porse njësoj si Kurti janë të paprovuar. Hoti ka avantazhin se ka drejtuar një dikaster që i njihen suksese në financat kosovare.
E megjithatë, të tre kanë probleme të mëdha me shtjellimin e çështjeve kryesore të vendit. Të tre kanë dallime të mëdha në konceptimin e tyre sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në lidhje me dialogun me Serbinë, kurse bashkohen në atë ku njerëzit janë lodhur nga fjalët e përgjithshme dhe boshe që lidhen me korrupsionin, ekonominë, punësimin dhe arsimimin.
Një avantazh të lehtë nga të gjithë e ka Haradinaj, kryesisht edhe prej famës që mori nga arresti i pak muajve më parë dhe lirimi i radhës që iu bë nga autoritetet franceze. Vetëm se Haradinaj shumë shpejt është përshtatur dhe ka rënë në batakun e Kosovës teksa njeriu që disa ditë më parë fliste për “vijë e kuqe”–pra asfare koalicion me PDK-në, në fund u bashkua me atë. Apo paradoksin që lëshoi se ishte bashkuar me PDK-në tani që AKR-ja e Pacollit u bashkua me LDK-në! Me pak fjalë, Haradinaj është as më pak e as më shumë njësoj produkt i kësaj politike të Kosovës, që deri tani nuk di të shpalosë asgjë konkretisht vetëm se plane makro, si ato të rrugës së Istogut që tha pak më parë dhe punësimet.
Aleanca ideale, pasi tashmë bashkon tre formacionet e krahut të Luftës, siç po mundohen ta shohin ata që i bëjnë hosana, ku Haradinaj do drejtojë, shquhet njësoj për mungesë konsistence, parimesh normale politike dhe po kanë një pragmatizëm, që përkthehet thjesht në etje për pushtet. E frikshme është se PDK-ja po e zgjidh venitjen e saj me ngritjen dhe përdorjen e madhe të figurës së Haradinajt. Thjesht duke shfrytëzuar padurimin e Haradinajt që të bëhet kryeministër, ndërkohë që ai vetë nuk di të thotë asgjë konkretisht sesi do të zgjidhë Demarkacionin dhe Asosacionin, si do mundësojë puënsimet dhe do nxjerrë ekonominë nga ngërçi, paçka se të gjithë e justifikojnë teksa e shikojnë të gjithë këtë proces të ri të ish luftëtarëve thjesht si përballje të frikës para ardhjes së aktakuzave të para nga Haga. (Javanews)