Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha duket se tashmë i ka përqendruar energjitë te fushata elektorale. Përmes një statusi në facebook, ai rendit disa premtime sipas tij të pambajtura nga Edi Rama. Basha shkruan se Rama pasi i gënjeu njëherë shqiptarët duke mos realizuar asgjë, tashmë i tall qytetarët.
“Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër”, thotë Basha mes të tjerash.
Statusi i plotë
Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para. Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë. Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit. Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë. Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia. Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet. Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre. #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe
/a.m.