Sipas mediave italiane, të cilat kanë publikuar edhe foton, thuhet se arrestimi i tij vjen pas një zbulimi të 28 kg heroine të fshehur në një zgavër të bërë në murin e një apartamenti në Stezzano, pas operacionit të kryer nga policia lokale e Bergamos, në vitin 2000.
“Arrestimi i Edmondit, aktualisht i izoluar në burgjet shqiptare, në pritje të ekstradimit, pason me arrestimin e një bashkëpunëtori të tij, quajtur Blendi Cepa, i cili eshte arrestuar më 9 nëntor, 2015 në Shqipëri, gjatë një operacioni të ngjashëm të kryer nga Policia e provincës së Bergamos në bashkëpunim me Interpolin dhe Policinë shqiptare.
Edmond do të duhet të kryejë dënimin me burg prej 9 vjet e 11 muaj. Stafa ka qenë në kërkim nga autoritetet italiane prej 8 vitesh me akuzën e trafikut të drogës. 51-vjeçari është vënë në pranga, pas urdhër-arrestit të mbërritur nga Italia dhe ekzekutuar nga Interpol Tirana.
Edmond Stafa është pronar i hotel-bar-restorantit “Skampinit”, që ndodhet në zonën e Kalasë së Elbasanit, një vend i njohur në qytet, raporton panorama. Stafa, vëllai i ish- deputetit Bukurosh Stafa, u prangos dy ditë më parë në ambientet e biznesit të tij në Elbasan në zonën e Kalasë. /b.d