Televizioni publik shqiptar adopton një pozicion të fortë ndaj vendimit të partive politike për të dërguar kronika të gatshme rreth aktiviteteve elektorale. Në një letër drejtuar partive politike, RTSH shprehet se nuk do të pranojë për transmetim kasetat filmike të partive. Ja teksti i plotë i njoftimit:
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) nuk do të pranojë, për emisionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e afërme elektorale, por do ta mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e vet.
RTSH përmes një shkrese të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllci, njofton kryetarët e partive pjesëmarrëse në zgjdhje se pasqyrimi i aktiviteteve të partive politike do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga vetë gazetarët dhe operatorët e saj. Kjo, sipas RTSH, do t’i shërbejë ruajtjes së profesionalizmit dhe informimit të paanshëm të publikut.
Dihet se partitë politike shqiptare dhe sidomos partitë e mëdha kanë ngritur zyra të fuqishme të shtypit dhe propagandës të cilat të mirëpajisura dhe të mirëpaguara përgatisin material propagandistike të gatshme të cilat shpërndahen nëpër televizionet e vendit. Transmetime të tilla nëpër emisionet e lajmeve bëhen duke shkelur rëndë pavarësinë e tyre por edhe ligjin, i cili e përcakton qartë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë.
Ky vendim nuk përfshin kohën e përcaktuar me ligj që jepet falas për propogandën e partive politike, nga televizioni publik dhe tani me ndryshimet e fundit edhe nga televizionet private, por kjo do të jetë e treguar qartë dhe e ndarë nga emisionet informative apo nga emisionet e tjera radiotelevizive.
Kohët e fundit Këshilli Drejtues I Radiotelevizionit Shqiptar miratoi për herë të parë Parimet e veta editoriale, ku është përcaktuar në mënyrë konkrete se si duhet të sillet gazetari I RTSH gjatë fushatave elektorale. Sipas Parimeve Edioriale “ Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesve të partive politike ose kandidatëve që garojnë nuk u lejohet të paraqiten në emisione të tjera të RTSH-së, me përjashtim të rasteve te përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kohën falas të propogandës së Partive Politike.. Kur pasqyrohen aktivitetet e përfaqësuesve të partive politike dhe kandidatëve që mbajnë poste qeveritare apo publike, RTSH duhet të bëjë dallimin e qartë midis funksioneve të tyre zyrtare dhe veprimtarisë zgjedhore.
Deri më tani RTSH ka bërë disa trainime të gazetarëve të saj për pasqyrimin e fushatës zgjedhore. Ditët e fundit në RTSH janë zhvilluar disa seanca trainimi nga pedagogu i Akademise se Eurovizionit dhe ish gazetari i BBC Jonathan Stoneman, pikërisht për fushatën zgjedhore që jemi në prag.
Duhet thënë se vendimi i RTSH për të mos pranuar materialet e gatshme të partive politike, por ta ndjekë këtë me gazetarët e vet, është një hap i duhur që duhet të ndiqet edhe nga televizionet dhe radiot e tjera private, të cilat shpesh herë kthehen në zëdhënëse të zyrave të shtypit të partive te ndryshme.