Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së dielës komunikimin javor në rrjetet sociale ku ka sqaruar disa detaje rreth marrëveshjes me Lulzim Bashës. Ai tha se ministrat teknikë do të jenë kujdestarë të etikës zgjedhore, që do të garantojë presionin mbi punonjësit e shtetit dhe përfshirjen e tyre në fushatë.
Sipas Ramës, ministrat teknikë që po përfshihen në një qeveri politike është një premisë e shkëlqyer për t’i dhënë fund kontenstimit të zgjedhjeve. Ai tha se marrëveshja shkon përtej këtij fakti.
“Hendeku ishte vërtetë shumë i madh për t’u kapërcyer në momentin e fundit. Sesi u arrit kjo marrëveshje, është një histori më vete. Ajo që ka rëndësi është se kjo marrëveshje është një rast kur një krizë kthehet në një vullnet të mirë. Katundi mediatik është fokusuar vetëm në emrat e ndryshimeve dhe në faktin pse nuk u hapën afatet e koalicioneve” – tha Rama.
Kryeministri tha se përfshirja e PD në qeverisje synon vajtjen sëbashku në procesion e çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Marrëveshja përcakton detyrimin e ndërsjelltë të palëve pa pritur që miqtë e huaj të bëjnë shkesin për muaj të tërë për të na ulur në një tryezë. Përpara se të shihemi sy më sy nuk kemi pse të flasim në anglisht. Kryetari i Qeverisë dhe ai i Opozitës do të takohen pas zgjedhjeve të 25 Qershorit për mirëkoordinimin e punës në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe për anëtarësimin në BE” – tha Rama.
Ai tha se zërat për pazare në kurriz të partive të vogla janë “llogje”. Duke iu përgjigjur indirekt pretendimeve dhe frikës së LSI-së se marrëveshja Rama-Basha mund të jetë në dëm të saj, kryeministri tha:
“Partitë e vogla vetëm garante të demokracisë nuk mund dhe nuk kanë qenë. Kjo për shkak të peshës së tyre. Në këtë marrëveshje ka vetëm një bashkëqeverisjë. Kjo është bashkëqeverisja e zgjedhjeve për të siguruar një garë të ndershme” – tha Kryeministri.
Sa i përket mos-hapjes së regjistrimit të koalicioneve si pjesë e marrëveshjes, Rama tha se nuk kishte arsye për të hapur lojërat e partive nga e para sa në skenë, e sa në prapaskenë.
“Të gjitha partitë kanë qëllimet e tyre, interesat e tyre, ankesat dhe fiksimet e tyre që kthehen në një volum shurdhues sapo nisin zgjedhjet. Ndaj jemi marrë vesh të mos e prekim Kodin Zgjedhor, por të angazhohemi pas zgjedhjeve në një reformë të re që do të realizojë të gjitha meraqet e vjetra e te reja të partive” – tha Rama.
/JAVANEWS/b.d