Dizjona, vajza 14-vjeçare nga Burreli ishte personazhi i radhës i ftuar në studion e “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare” ku dhe përloti publikun me historinë e saj tepër prekëse.
Dizjona rrëfeu në studio se disa vite më parë, ajo u diagnostikua me trombocitopeni, një sëmundje e vështirë që konsiston në një rënie të mprehtë të numrit të qelizave të kuqe të gjakut.
Siç tregoi ajo, sëmundja e saj do trajtime të vazhdueshme të specializuara, çka e detyroi nënë e saj që të zhvendosej në Tiranë së bashku me të dhe dy vajzat e tjera. Kushtet e vështira ekonomike dhe mosmarrëveshjet e nënës së saj dhe të atit, bënë që prindërit e Dizjonës të divorcoheshin.
“Ata u ndanë sepse fajësonin veten për sëmundjen time dhe menduan se unë do e kaloja, por unë u bëra edhe më keq.”- u shpreh 14-vjeçarja. Dhe kështu ajo vijoi të tregonte për jetën së bashku me nënën e saj në Tiranë dhe vështirësitë e shumta si mungesa e energjisë elektrike.
“Ngaqë nuk kemi drita në shtëpi prej shumë kohësh, motra ime e vogël ka shumë frikë nga errësira dhe i lutet mamit që ta shoqërojë kudo sepse nuk rri dot vetëm. Dhe mami e ka shumë të vështirë të kujdeset edhe për mua në këto kushte sepse në rastet që kam nevojë për shërbim të menjëhershëm, ajo duket të mbajë në një dorë qiriun dhe në një dorë ilaçin.”-tregoi vajza në studio.
“Nuk mund të shërohem vetëm me disa tableta që më shkaktojnë fryrje. Ndonjëherë unë i them mamit se i kam pirë, por në fakt nuk i pi.”- u shpreh ajo duke shpërthyer më pas në lotë. Dizjona ishte në studion e “Ka një mesazh për ty” për t’i kërkuar nënës së saj që të mos mposhtet nga vështirësitë. Nëna e saj mbërriti në studio ku u përlot menjëherë pasi pa imazhin e së bijës. “E di që ke rënë në pesimizëm, që pika jote e dobët jam unë, që të kanë mbuluar hallet. Po ti duhet të shohësh pjesën e bukur. Nuk duhet të harrosh veten tënde. Siç je bërë sot e bukur, kështu dua të jesh përditë. Edhe pse jetojmë në errësirë, ti ke tre dritat e tua, ke tre vajza. Rëndësi ka që ti të buzëqeshësh, vetëm të jesh e lumtur, ne nuk duam asgjë tjetër.”- i tha së ëmës Dizjona, duke prekur edhe vetë moderatorin Ardit Gjebrea.
“Jeni krenaria ime dhe lumturia ime. Do mundohem me gjithë shpirt që t’i kalojmë këto.”- u shpreh nëna e 14-vjeçares, teksa në ekran u shfaq numri i llogarisë së saj bankare, një iniciativë e ndërmarrë nga televizioni “Klan” për t’i ardhur në ndihmë. /b.d