NGA BESIM CENGU
Proza e shkurtër e Moikom Zeqos është dukuri fatlume në gjithë letërsinë shqipe, pasi ajo shfaqet në formën e saj më të mirë dhe të përsosur. Siç duket është kërkesë e brendshme e krijimit shqip që shkon deri në aspiratë të saj për tu rreshtuar krahas letërsisë më të mirë bashkohore të zhvilluar sot në Evropë dhe botë. Ky lloj krijimi që quhet “bota krijuese moikomiane” është kontribut për të thyer lëvozhgën e rutinës dhe standardit të deritashëm. Këtë po e bën me sukses Zeqo, prandaj ai nuk ngjan si të tjerët jo vetëm në lëvrimin e këtij zhanri, por në të gjithë opusin e tij krijues.
Tipare e tipologji të prozës së shkurtër
Në historinë e prozës së shkurtër në letërsinë shqipe spikasin Faik Konica, Noli dhe Migjeni, të cilët kanë arritur koncentrimin më të madh të të asaj ç’duhet të thuhet në pak rreshta, duke afruar stilin e prozës së shkurtër shqipe me konceptualitet me prozën më të mirë në shkallë evropiane. Markezi thotë se “të shkruash një tregim është shumë më vështirë se të shkruash një roman”. Kam idenë se ky mjeshtër i letërsisë bashkohore latinoamerikane dhe botërore ka pasur parasysh rëndësinë e fjalës si lëndë dhe mjeshtrinë e ndërtimit kompozicional të këtij zhanri kaq delikat.
Tregimi si zhanër është kultivuar relativisht vonë nga shkrimtarët shqiptarë, megjithatë mund të përcaktojmë në dy tipologji esencialisht të dallueshme për nga konceptualiteti: tregimet e Koliqit dhe të Mitrushit, por që në aspektit e ndërtimit lëndësor në këta tregime zotëron vetëm rrëfimtaria klasike dhe tregimet e Konicës, Nolit dhe Migjenit, të cilët në raport me dy të parët ngrihen efektivisht mbi tregimin e rëndomtë. Tradita e mëvonshme i plotëson parametrat e letërsisë shqipe, por ende larg kapriçove të befasisë së stilit si te shkollat krijuese më të mira evropiane dhe botërore.
Kryemjeshtri i prozës së shkurtër shqipe është padyshim Migjeni. Asnjë tjetër nuk është më konceptual se ai. Të kujton Rembonë, Blez Paskalin dhe Franc Kafkën. Migjeni është i çuditshëm nga mënyra se si e ndërton prozën e shkurtër, si e organizon, si e përdor fjalën në funksion të idesë, si e ndërton frazën pa asnjë tepëri. Ai arrin me sa më pak fjalë e fjali maksimumin e përcjelljes së mesazhit te lexuesit. Ia arrin qëllimit. Gjithçka në prozën e tij është funksionale dhe në sherbim të konstruktit të krijimit. Migjeni ka shprehur në nivelin më të lartë artistik dhe estetik në prozën e shkurtër shqipe tharmin e substancës metafizike ku ankthi ekzistencial është gjithçka.
Disa proza të Konicës të kujtojnë Borgesin, ndërsa disa proza të Nolit të kujtojnë Deni Dideronë. Kurse Migjeni ngrihet mbi të gjithë për faktin e mirëfilltë, se ai kërkon të koncentrojë në prozën e shkurtër tërë thelbin e prozës së gjatë. Këtu qëndron çelësi i suksesit të tij në prozën e shkurtër. Nga kjo pikëpamje Migjeni është Kafka shqiptar.
Megjithatë tregimi si zhanër i lëvruar shumë gjatë këtyre 50 vjetëve ka arritjet e veta edhe në stadin që është aktualisht. Kështu, në një farë mënyre ky zhanër krijoi rutinën dhe standardin e vet. Të gjitha këto përbëjnë një sfond.
Krijuesi erudit
Në këtë rast dua të shpreh mendimin se proza e shkurtër e Moikom Zeqos duket se nuk ka lidhje me traditën e tregimit të shkurtët të 50 vjetëve që ikën. Krijimtari e Zeqos ngjan se ka një ndikim prej prozës së shkurtër të Migjenit. Zeqo ka botuar një korpus prej shumë vëllimesh që edhe ka tërhequr vëmendjen e kritikës. Por sigurisht ende jo ku duhet.
Proza e shkurtër e Moikom Zeqos është dukuri fatlume në gjithë letërsinë shqipe, pasi ajo shfaqet në formën e saj më të mirë dhe të përsosur. Siç duket është kërkesë e brendshme e krijimit shqip që shkon deri në aspiratë të saj për tu rreshtuar krahas letërsisë më të mirë bashkohore të zhvilluar sot në Evropë dhe botë. Ky lloj krijimi që quhet “bota krijuese moikomiane” është kontribut për të thyer lëvozhgën e rutinës dhe standardit të deritashëm. Këtë po e bën me sukses Zeqo, prandaj ai nuk ngjan si të tjerët jo vetëm në lëvrimin e këtij zhanri, por në të gjithë opusin e tij krijues. Këtë mendim për krijimtarinë e tij e kanë shprehur edhe Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatmir Minguli, Ali Aliu, Alfred Uçi, Ahmet Selmani etj., që tregon qartë se krijimtaria e Zeqos sipas të gjitha gjasave kapërcen kohën e tij. Mirëpo edhe qëllimi i një krijuesi ky është.
Kohën e vet e kapërcen vetëm një krijues i paisur me një talent të rrallë, por edhe kur vizionin estetik e ka të qartë. Këtë e bën vetëm një artist erudit dhe që përfaqëson energjitë krijuese të njerëzve me të cilët jeton emocionalisht jetën dhe ndan problemet thelbësore të epokës në të cilën jeton e vepron dhe parashikon deri në kufinjtë e saktësisë të ardhmen e artit, por edhe të vetë praktikës së jetës së shoqërisë. Prandaj do kohë e kohë, por edhe mund të madh për tu ndalur në botën krijuese moikomiane.
Hedhja e shikimit përtej…
Për të patur një një libër emblematik të tij të prozës së shkurtër ka pasur rëndësi nisma e Entit Botues “Buzuku” në Prishtinë. Më vitin 2013 boton librin “Abraxas – mbreti i botës”, një përzgjedhje që shpreh sintezën.
Pikërisht këtë libër kemi në dorë dhe po e lexoj me kujdes e vëmendje sepse lidhet një gjë e çuditshme; të rrinë pranë njëri-tjetrit tregimet e shkurtra të shumë librave të Moikomit për të formuar një koncepsion të ri për krijimet dhe krijimin e tij në përgjithësi. Ky është libri emblematik i prozës së shkurtër padyshim më modern në gjithë gjuhën shqipe, po kështu në nivelin mbarëkombëtar të prozës së shkurtër në raport me nivelin evropian dhe botëror.
Duket se ndërmarrja e studimit të veprës së Zeqos është ajo e një vështirësie kolosale. Përgjithësisht kritika bën analizën duke përsëritur ide dhe fjalë. Në rastin konkret, duhen bërë zbulime të mirëfillta që kërkojnë punë dhe në të njëjtën kohë korrektesë shkencore. Dua të theksoj faktin që e pat vënë re edhe Frederin Reshpja se në krijimtarinë e Zeqos është ngjizur shkencëtari me artistin dhe kjo ka shumë rëndësi. Është rast i rrallë në historinë e letërsisë shqipe të ndodhë kështu. Përgjithësisht realiteti artistic lexuesit I është servirur nëpërmjet narracionit linear dhe që në fakt nuk ka se sin e të mohojmë vjerat që ka pasur për zhvillimin e letërsisë “Brenda nesh”, për krijimin e konsolidimin e shkollës kombëtare të letrave.
Një zhvillim i tillë ka mbajtur gjallë letërsinë e traditës në Shqipëri, ka krijuar vepra të suksesshme si “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qoses, “Shembja e idhujve” e Skënder Drinit etj. në prozën e gjatë, proza e shkurtër e Mitrush Kutelit, Dhimitër Shuteriqit, Naum Priftit etj., ka zhvilluar e pasuruar gjuhën shqipe deri në nivelin që është sot, e kjo është meritë e madhe. Por që kjo mënyrë konceptimi nuk ka arritur për fatin e keq të arrijë nivelin e një letërsie që përcjell mesazhe universale për të gjithë njerëzimin. Kjo që është arritur deri sot nuk është mjaft për të parë diçka të re “përtej gardhit”. Ka ardhur koha që teksti të shikohet nga një kënd krejt i ri estetik dhe në dimensione te reja që synojnë konceptim të ri.
Një vërejtje e Akadamik Ali Aliut më ka mbetur në mend. Ai shprehet se “Moikom Zeqo, librat e të cilit i kanë lënë përshtypjen më të çuditshme të jetës si kritik duhen parë me parametrat që kritikët i shohin shkrimtarët amerikanë që paraanalizojnë formatin e tyre kulturor si kusht nistor dhe ftillëzues për botët e tyre krijuese”.
Pika e parë e një ballafaqimi me veprën e Zeqos është niveli i jashtëzakonshëm erudit i shkrimtarit. Këtë model shkrimtari nuk e ka asnjë shkrimtar tjetër bashkëkohës, dhe ndoshta jo më kot Zeqon e kanë quajtur Konica i dytë por në një shtrirje tjetër në kohë, hapësirë, koncept dhe interesa universalizuese. Askush nuk e reflekton këtë kulturë nga tregimtarët e sotëm si ky autor.
Struktura e krijimit
Një rëndësi të jashtëzakonshme Zeqo ka me atë se çka bërë me strukturën e krijimit artistik. Në një intervistë të tij Zeqo është shprehur se ka dy lloje shkrimtarësh: shkrimtarë që zotërohen nga lënda (narracioni) dhe shkrimtarë që e zotërojnë lëndën (narracionin). Pikërisht këtu nis rrugëtimi. Madje një rrugëtim i mundimshëm dhe i vështirë.
Disa krijojnë dhe aplikojnë duke bërë konvencione, thyerje, kapërcime në mënyrë që letërsia e vërtetë të analizojë vetveten me një energji të madhe, por pa asnjë arrogancë ndaj traditës së letërsisë së rëndomtë që zotëron rreth 90 për qind të letërsisë kombëtare (por edhe në botë). Përpjekja për të tejkaluar traditën e krijimit përmes novacioneve artistike dhe gjuhësore, përmes teknikave të papërdorura prej të tjerëve, nuk do të thotë arrogancë, përkundrazi novacion e ridimensionim. Nuk do të thotë as mohim a përçmim, thuajeni si të doni. Jo. Një konceptim i ri i krijimit letrar sot është imperativ dhe domosdoshmëri po qe se duam të ikim prej provincializmit e të udhëtojmë drejt mjediseve të letrare të kohës së sotme që kanë mënyra trajtimi universale të kompleksitetit të jetës njerëzore.
Ndoshta është pika më e fuqishme e perceptimit të Zeqos, prishja dhe fshirja e kufinjëve të letërsisë shqiptare me letërsinë botërore. Dmth, për të shkruar tekste që kapërcejnë etnicitetin e shkrimit për të qenë tekste universale. Ne në letërsinë tonë kemi (të themi drejt) pak tekste universale që t’i vlejnë shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Por sa shkrimtarët tanë kur shkruajnë kanë parasysh vetëm veten e vet, dmth, vetëm popullin e vet, e kanë shumë vështirë të shkruajnë edhe për të tjerët. Duhet të hedhim shikimin jo vetëm si ekzibicionist, por të futemi në brendësinë e krijimit dhe psiokologjisë së këtij krijimi përtej nesh, atje ku letërsia e krijimi e ka traditën më të mirë. Pra subjektet në botë dhe hapësirë i takojnë tërë qytetërimeve sepse ankthi ekzistencial është motiv i çdo letërsie. Kështu duhet kuptuar krijimi dhe pastaj merr vlera më të mëdha e hapësira në përmasa të tjera edhe ideja e mesazhi.
Shpërdorimi i shkrimit e i fjalë
Konceptimi si një përparësi ndaj shkrimit të pafund të faqeve të shkruara të cilat mund të tregojnë hollësira për gjëra jothelbësore. Kjo quhet shpërdorim ose në tekste inflacion i shkrimit, që është dukuri botërore dhe që është përcaktimi i kiçkulturës, në thelb edhe i kiçshkrimit. Shkrimtari është një luftëtar i palodhur kundër kiçshkrimit. Po marr si shembëlltyrë prozën e Moikomit botuar “Shitësit e kaosit”. Në konceptimin e lexuesit kjo prozë është shumë më shumë se një roman, sepse alternimi i shumëfishtë i subjektit nuk ka as fillim dhe as mbyllje. Nuk ka aktualisht në letërsinë shqipe si “Shitësit e kaosit”. Në konceptimin që të ngërthejë kaq shumë ankth ekzistencial dhe një kirurgji mendore për njerëzimin në përgjithësi. Nuk besoj se nëse Zeqo do ta kishte bërë roman këtë tregim do të pretedonte të thoshte më shumë se kaq. Madje bindja ime është se ai do të thoshte më pak po të bënte një përpjekje të tillë. “Shitësit e Kaosit” është mrekulli artistike më vete deri në kufijtë e përsosmërisë që nuk ke se ç’t’i shtosh e ç’t’i heqësh asgjë. Një prozë tjetër “Klepsidra” bën një matricë midis veglës së vjetër antike të matjes së kohës në rërë dhe arkës së shenjtë të Moisiut ku ruhet Dekalogu i Jehovait. Ky subjekt sa konvencional, aq edhe konkret figurën e Klepsidrës e kthen në një figurë metaforike të jashtëzakonshme.
Po përmend edhe një prozë tjetër “Të fjeturit e shpatës” ku legjenda e ringjalljes është gjithashtu një kujtesë metaforike e gjithë njerëzimit. Pyes veten: Pse Zeqo nuk synon ta kthejë në roman me shumë kapituj, me ndarje dhe nënndarje duke shtuar personazhe periferikë? Mendoj se ai ia ka arritur qëllimit në çka shkruan dhe jo me çfarë duhet të shkruaj. Zeqo është kundër fjalëve parazitare dhe të kota. Vetëm një shkencëtar i kompletuar, një erudit dhe një njohës i thellë i gjuhës e respekton kaq skajshmërisht fjalën, kuptimin e saj dhe rëndësinë që ka si “lëndë ndërtimi” për një vepër artistike.
Sfidë narracionit linear
Ja dhe një pikë e Zeqos në artin e tij. Duke sfiduar narracionin linear ai nuk e mohon formimin e personazhit. Bëhet fjalë cilin personazh? Ç’tipologji të personazhit?
Po marr konkretisht prozën që emërton librin “Abaxas, mbreti i botës”. Letërsia botërore nuk bën dot pa personazhin akrepital mesianik. Ky është personazhi shpëtimtar i botës, personazhi i veprimit dhe imagjinatës si Prometeu, Krishti, Don Kishoti dhe Hamleti. Të gjithë jemi admirues të emrave të heronjëve të tillë kulturologjikë të mëdhenj. Zeqo duke e njohur mirë ambiguitetin e letërsisë dhe të personazheve synon diçka tjetër. Mbreti i botës, mbretërisë së nëndheshme të Agathit të mitologjive të lindjes është një lloj tjetër heroi, një hero shpirtëror absolut i së Mirës, një hero i pakontaminuar nga grackat e qytetërimeve, një hero i shpirtrave. Ky nuk është heroi Batman i Holliëudit, as ai që kundërshton fundin e botës, që triumfon mbi akopalipsin. Është heroi i idesë, heroi i mendimit të shpirtit të pakufizuar të vetë Kozmosit.
Zeqo shkoqit personazhe të indit. Le të përmendim këtu figurat femërore tek proza “Gratë mistike”. Le të kujtojmë mitin e vajzës Cenea ( Dashuria) që shndërrohet në mashkull me emrin Ceneu dhe përdhunon një femër, dmth, vetveten e saj të mëparshme.
Përgjithësisht përsonazhet e mëdhenj në letërsinë botërore afirmohen si personazhe të mirë dhe të këqij. Por në prozën “Dy personazhe në një” Zeqo bën një sfidë (zhvendosje). Ai shkruan për perandorin romak Trojan i cili njihet si përndjekës i të krishterëve të hershëm dhe vuan në ferr. Por i jepet një jetë e dytë dhe ai del nga ferri i tjetërsuar. Në këtë jetë të dytë është një personazh që aspiron të mirën. Në këtë kuptim personazhet tek Zeqo janë të pazakontë, sepse ai guxon të transformojë. Dmth, guxon të shkelë aty ku nuk ka shkelur askush. Guxon, pra, të hapë shtigje të reja. Prandaj është tjetërlloj, se kultivon një letërsi tjeterlloj: letërsinë e të ardhmes.
Po kështu mund të ndalemi edhe në proza të tjera të këtij vëllimi të Zeqos (Bisedë në Venedik, Enigmë në Napoli, Katerina, Princi Hirtigër etj).
Fjala dhe fjalia si algjebër semantike
Zeqo njihet si shkrimtar i prozës së gjatë dhe i prozës së shkurtër. Po përmend këtu Anima Mundi, Kështu foli Manaliza, Mes Laookontit dhe Krishtit, Grishja e Florimontit, Syri i tretë që i përkasin prozës së gjatë. Këto vepra, secila me më shumë se 300 faqe duket sikur krijojnë një kundërargument ndaj prozës së shkurtër. Lexuesi mendon se ai shkruan për mrekulli proza të gjata. Prozën e gjatë Dritëro Agolli e ka cilësuar: “Proza e Moikomit, sidomos te ‘Grishja e Florimontit’, por edhe në librat e tjerë është një prozë e madhe, e nivelit të Umberto Ekos”. Atëherë pse Zeqo ngulmon këta vitet e fundit të shkruajë prozë të shkurtër? Mos kjo vjen nga lodhja apo ai ka një pretendim tjetër estetik? Fjala vjen “Grishja e Florimontit” është shkruar me sentenca që të kujton Niçen. Pse ky autor duket se i mënjanon atë që quhen shkrime të gjata? Kjo ka ndodhur për shkak të reflektimit? Ai e sqaron këtë problem estetik dhe eseistik. Unë dua të ndalem te njësia bazë që është fjalia. Fjalia përfaqëson veprimin e fjalëve, ndërthurjen dhe forcën e tyre. Nuk ka asnjë shkrim të vërtetë pa fjali. Letërsia nuk është leksik, por është bashkëlidhja e fjalive në morfologji e në sintaksë. Kjo është hullia ku mund t’i afrohemi sekretit të artit të Zeqos. Në të gjithë veprat e tij, në poezi e në prozë, ai ka synuar fjalinë e tij dhe fjalën e koncentruar në mënyrë prefekte maksimaliste. Ai ka arritur të shkruajë fjalitë më lakonike në letërsinë shqipe. Kjo është veti e shkrimtarëve të mëdhej si Borgesi, i cili ka arritur forcën e shprehjes si askush tjetër.
Zeqo e di se fjalët mund të krijojnë një algjebër semantike, prandaj është i kursyer dhe studiues shumë i rëndësishëm i fjalës, i çdo fjale dhe të gjithë fjalive të tjera. Ky është ndoshta sekreti më i madh i të shkruarit që kërkon edhe durim edhe imagjinatë të pashterrshme. Fjalitë e Zeqos sfidojnë Kaosin, ndërsa lidhjet midis tyre ndonjëherë janë të ndërlikuara. Thënia latine (scripta nonon) e shkruara mbetet (quod, scripsi, scripsi) në nisje dhe në fund (Anon, scripti, seripsi), ajo që u shkrua, u shkrua, shpreh të koncentruar dhe të përsëritur me qëllim vështirësinë dhe përgjegjshmërinë e të thënin diçka, ashtu sikuerse është tepër e vështirë të thuhet diçka përfundimtare për stilin e Moikom Zeqos. Është vërtet një stil elitar, por edhe i qartë. Flitet shumë që ai është një shkrimtar erudit dhe ashtu është. Por harrohet se erudicioni nuk është letërsi. Erudicion formal ka shumë në Google, por kjo nuk është absolutisht letërsi.
Atëhere ku dallon Moikom Zeqo?
Stili si sekret
Ai ka kuptuar si pakkush se stili është sekreti dhe këtë nuk e bën çdokush. Sinteza është të krijosh nga Kaosi Kozmosin, madje nga asgjëja gjithçkanë. Dhe Moikomi i bën këto sinteza jo thjesht nga pozita e letërsisë kombëtare, sepse siç e ka shprehur ai vetë duke cituar Gëten se “nuk ka më letërsi kombëtare, lokale, por ka letërsi botërore”, një bashkësi ekumenike, pavarësisht se subjektet mund të artikulohen në gjuhë etnike si bie fjala gjuhë shqipe apo tjetër. Dalim kështu në një breg të estetikës që lidhet me letërsinë krahasimtare që përcaktojnë përmasat e shkrimtarit. Nuk mund të rri pa shprehur idenë se Zeqo që bën letërsi urbane ku bashkëkohësia moderne dhe postmoderne në botën e sotme estetike është edhe parim i të ardhmes. Dihet se letërsia shqipe në përgjithësi ka karakter provincial dhe kjo shpreh tradicionalitetin e saj. Zeqo është shkrimtar i letërsisë urbane. Është thënë se lexuesit e të ardhmes do të jenë miqtë e saj më të mirë. Kjo nuk është retorikë.
Zeqo është i ndërlikuar (Leka Ndoja), por jo i pakuptueshëm. Mjeshtër i madh i prozës bashkohore shqipe me plot kuptimin e fjalës (Sulejman Mato). Jam i bindur se do të thuhet shumë për të, por në një kohë tjetër.
Kjo nuk do të thotë aspak se ai nuk është një përfaqësues i shquar i intelektit më të çuditshëm dhe ambicioz të kohës tonë duke synuar që letërsia t’i kapërcejë kohërat…
Pra Zeqo është pjella e vetë kohës tonë artistike, thirrje për të ndryshuar thelbësisht artin sepse siç edhe ai vetë thotë në një tregim të vëllimit “Abraxos, mbreti i botës” …Nuk është luftëtari që zgjedh betejën, por beteja që e zgjedh luftëtarin…
Më duket se beteja për artin e ri ka zgjedhur Moikomin për të shikuar përtej…