Një prej aksionarëve më të mëdhenj të projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik është tërhequr. “Statoil” i Norvegjisë ka nxjerrë në shitje aksionet e tij, që përfshijnë 20 për qind në projektin TAP, që do të çojë gazin nga Azerbajxhani në Evropë.
Lajmi konfirmohet nga “Reuters”, i cili shkruan se aksioneri norvegjez “Statoil” do të lërë përfundimisht projektin, ndërsa mësohet se një tjetër kompani është e gatshme për të blerë këto aksione.
“Statoil” ka aksione të barabarta me azerin “Socar” në projekti TAP. Sipas “Reuters” ende nuk dihet shkaku i tërheqjes së aksionarit “Statoil” nga projekti TAP.
“Statoil” ka vendosur të lërë projektin TAP plotësisht dhe një kompani është e gatshme për të blerë aksionet e tij”, tha Presidenti i “Socar”, Rovnag Abdullayev.
Ndërsa, “Statoil” nuk bëri komente lidhur me lajmin. “Ne në përgjithësi nuk komentojmë mbi spekulimet mbi rregullimet e portofolit tonë”, tha zëdhënësi i “Statoil” për “Reuters”.