“They don’t belong to them, they don’t belong to us, they belong here”, janë fjalët që formojnë fjalinë në fanellat e 13 nxënësve. Në gjuhën anglezë që sot dominon në botë, ata nëpërmjet rreshtimit në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës kanë përçuar mesazhin se “ato nuk u takojnë atyre, nuk na takojnë neve, por e kanë vendin këtu”.
Kjo porosi në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ka ardhur si thirrje e Muzeut të Kosovës për kthimin e 1244 eksponateve arkeologjike dhe etnografike, të cilat tash e 18 vjet mbahen në Beograd.
Gjatë viteve 1998 dhe 1999 ishin transportuar për në kryeqytetin serb në mënyrë që të ekspozohen atje, por asnjëherë nuk janë kthyer prapa, pos “Hyjneshës në fron” në vitin 2004.
Qeveria e Kosovës shpeshherë ka përmendur se në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet edhe kjo çështje, por deri më tash asnjëherë nuk është hapur si temë. Fëmijët e shkollave të ndryshme të Prishtinës, të enjten, pos aktiviteteve të tjera, nëpërmjet brushave me ngjyra të ndryshme kanë shkruar mesazhin në fanellat e bardha, përgatiti “Kohën Ditore”. (b.an)