Nga Majlinda Bregu
Detajet teknike të Marrëveshjes Politike për mua sot janë të parëndësishme.
Rëndësia e të sotmes është se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Qershorit.
Kjo është ajo që desha dhe për hir të kësaj nuk zgjodha heshtjen komode, por vendosa t’i them hapur c’kisha.
Këtë deshën dhe për këtë u përpoqën të gjithë miqtë europianë e ata përtej oqeanit.
Kjo është ajo për të cilën u investuan Partitë Popullore Europiane dhe këtë kishte bazë paketa e 25 Prillit e propozuar nga David McAllister.
Nëse do t’i kishim thënë PO, atij propozimi një muaj më parë, do t’i kishim kursyer vetes nerva, telendisje dhe paranoien e gjetjes së armikut të brendshëm e të jashtëm.
Do të kishim patur edhe dy muaj më shumë kohë për tu organizuar për zgjedhjet.
Por më mirë vonë se kurrë. Rëndësi ka që Vota nuk do t’i mohohet askujt!
Një Falenderim për të gjithë miqtë që u përpoqën të na ndihmonin me arsye, kur arsyeja e shëndoshë ishte ajo që na mungoi.