Nga Ben Andoni
Ka një perceptim të përgjithshëm që sa herë realizohen marrëveshje pas krizave nga dy partitë më të fuqishme në vend diçka do të ndodhë. Kështu ka ndodhur dhe këtë herë. Pas plot tre muajsh proteste pa ndalim në të ashtuquajturën Çadër e Lirisë, ku si kusht i panegociueshëm llogaritej që Rama të jepte dorëheqjen sepse ish i lidhur me pushtetin e drogës dhe me një fuqi të atillë omnipotente që i bënte të pamundur zgjedhjet e ndershme dhe se sistemi i tij zgjedhjet i shndërronte sakaq në farsë, Opozita shqiptare tashmë është ulur me të dhe madje është bërë pjesë e sistemit duke kontribuar.
Në fakt, pas marrëveshjes, ajo që u fiksua është veshja teknike e gati gjysmës së strukturës së lartë të ekzekutivit Rama, që e lan de jure fytyrën e Bashës para demonstruesve dhe idilit të tij për qeverinë teknike. Ndërkohë që aleatët e vegjël të dy partive kryesore, kanë të drejtë të shqetësohen realisht.
Kjo për energjinë e harxhuar në një proces të stërgjatë për të zbutur të elefantët e pushtetit, ndërkohë që ata do të humbin paq nga mungesa e koalicioneve. PDIU ka reaguar direkt dhe madje e pezmatuar duke u kujtuar partive kryesore se po të duan edhe zgjedhjet nuk kanë pse t’i bëjnë fare, kurse LSI-ja ka bërë reagimet e para me gjuhën e nervozuar por diplomatike të kryetarit de facto Ilir Meta. PAA dhe PR nuk kanë reaguar menjëherë, por të gjitha bashkë janë trandur që lufta e pa princip në opozitë i ka kufizuar që të bëjnë pjesë në koalicione ku mund të fitonin shumë më tepër deputetë sesa parashihen tani.
Marrëveshja duket se është shtyrë me frymën për reformën në drejtësi që përbën dhe justifikimin kryesor dhe që e kërkon integrimi i Shqipërisë, por edhe që përbën kushtin më të panegociueshëm të Brukselit, që Shqipëria t’i ketë dyert e hapura në BE. Vetëm se marrëveshja në thelb, duke u shfrytëzuar prej PS dhe PD, ka forcuar edhe më shumë dy partitë kryesore, duke ua ligjëruar edhe më fort pushtetin piramidal të liderave dhe ka eliminuar me radhë të vegjlit, duke filluar që prej LSI-së, partisë së presidentit të ri, që tashmë i duhet një strategji e re që të bëhet faktor në zgjedhjet e ardhshme. Me sa duket, Metës i duhet sërish të vesh rrobat e luftës sepse kjo të kujton disi atë që solli marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 për ndryshimet në Kushtetutë.
Gati nëntë vjet më parë më 21 prill votat e ish-kryeministrit Berisha dhe Ramës miratuan ndryshimet në kushtetutë, që mbeten në thelb të krizave të mëvonshme dhe pushtetit të liderave të PS dhe PD. Më kot, Ilir Meta i LSI-së bëri përpjekje, madje duke u futur në grevë urie për të ndalur këto ndryshime që e dëmtonin shumë formacionin e tij prej riqepjes së kodit elektoral. Vetëm se dështoi paq. Në fakt, kriza më e madhe dhe duket se burimi i vërtetë i krizave politike shqiptare është ajo e 9 marsit të vitit 1997, kur Partitë politike që ishin thirrur në takim nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha, nënshkruan atë që u quajt Marrëveshja e Paktit Kombëtar.
Kjo marrëveshje e cila u firmos nga Berisha dhe nga përfaqësuesit e 10 partive politike pjesëmarrëse në këtë takim i zgjati jetën vetë atij shkaktarit të krizës në vend, ndërsa shpëtoi ata që e futën në qorrsokak Shqipërinë sepse referuar kësaj marrëveshje, Parlamenti shpalli amnistinë e përgjithshme për civilët dhe ushtarakët që u implikuan deri forcërisht në të ashtuquajturën e revoltës së fajdeve.
Në fakt në atë kaos u arrit qeveria e pajtimit kombëtar, që pati përfaqësimin e të gjitha forcave politike që ishin në dialog dhe që realizuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor 1997, që e ricikluan edhe njëherë institucionalisht Berishën dhe pak vite më vonë e sollën në pushtet, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Mbase është e tepërt të themi se historikisht të gjithë marrëveshjet në vend thjesht kanë qenë paradhoma e krizës së ardhshme, që mund të vijë jo shumë shpejt, por që do të vijojë kur t’i vij koha me thelbin e njëjtë që është mosbesimi total ndaj njëri tjetrit dhe paradoksalisht mbajtjen gjithnjë në fuqi të hegjemonisë së PS-së dhe PD-së. Ndaj çdo marrëveshje e pompuar nga palët kryesore gjithnjë mban erë në vend. (Javanews)