Partia Socialiste ka çelur sot fushatën elektorale për Qarkun Tiranë. Në një miting të thirrur te Piramida, kryeministri Rama është pritur me brohoritje, pas firmosjes së marrëveshjes.
Mbajtja e mitingut të PS pak metra larg çadrës së opozitës ka bërë që mbështetësit e PD t’i afrohen aktivitetit të mazhorancës dhe të alarmojnë forcat e policisë për ndonjë përplasje të mundshme.
“Sot ishte dita kur ne kishim çeljen e fushatës tonë elektorale, por besoj se më bukur sesa në vend që të çelim fushatën të brohorasim për realizimin e objektivit tonë strategjik për një Shqipëri me shtet, punë dhe mirëqënie. Për Vettingun që do të votohet para zgjedhjeve, unë nuk besoj së do të kishte” – e nisi fjalën e tij Edi Rama.
“Të jeni të bindur se me të njëjtën kokëfortësi që ne luftuam për Vettingun, do luftojmë dhe do fitojmë për të rritur me shpejt mirëqenien dhe punësimin. Ju jeni dëshmitarë të një periudhe jo të lehte. Jeni dëshmitarë të një vullneti që sot pas një periudhe jo të zakonshme konfirmon edhe njëherë se ne kur themi “Duam dhe do bëjmë shtet” nuk e themi, por e bëjmë”. – tha Rama.
Kryeministri deklaroi se me marrëveshjen e arritur fitoi Shqipëria, por sipas tij në zgjedhjet e 25 qershorit do të fitojë PS.
“Do të fitojmë thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Nuk donim zgjedhje pa opozitën, por do shkonim edhe vetëm në zgjedhje. Opozita ka siguritë më të mëdha, si kurrë më parë, për t’u futur në zgjedhje. Në 25 qershor do të fitojë PS, por sot ka fituar gjithë Shqipëria. Sot kanë fituar socialistë dhe demokratë, njerëz të zakonshëm të këtij vendi që më në fund po shohin dritë në fund të tunelit dhe do të dalin njëhërë e mirë nga kthetrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Ne dimë të udhëheqim dhe të bëjmë kompromisë, por jo në kurriz të kushtetutës dhe qytetarëve“, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se për për PS-në ka vetëm një Shqipëri që është “Shqipëria e Skënderbeut”
“Edhe për PD-në u hap një rrugë e re, rruga e betejës demokratike. Për ne flamuri ishte kuqezi dje, është kuqezi sot dhe do jetë kuqezi nesër. Për ne nuk ka një Shqipëri të katolikësh, myslimanësh, ortodokës, bektashinj etj, por për ka vetëm Shqipëria e Skënderbeut”, tha Rama./b.d