Nga Ben Andoni
Është e vështirë ta shpjegosh këtë më pak fjali nëse realisht nuk futesh në zgafellet e kujtesës kombëtare sa i përket kontributit katolik në ekzistencën e shtetit shqiptar. Por është fakt, që të gjithë liderët shqiptarë të 27 viteve të fundit, të besimeve të ndryshme, evropianizmin e tyre e kanë dëshmuar si pohim ndaj vlerave të katolicizmit. Në masë shpesh kjo është parë edhe si një lloj afrimiteti i stisur ndaj Perëndimit.
Në këtë fushë më para se të gjithë shkoi udhëheqësi kosovar Ibrahim Rugova në atë që konfesonte sa i përket besimit katolik. Dhe, më pas, duhet konsideruar kryeministri aktual i Shqipërisë Edi Rama, që ka bërë qasje edhe më interesante sa i përket besimit katolik. Në vite dhe konjuktura të ndryshme, liderët politikë shqiptarë i janë kthyer sipas interesit herë Vatikanit dhe herë Mekës, por asnjëherë duke mos lënë gjurmë të qarta për shkak të konfuzionit të tyre ndaj besimit. Ky i fundit ngjan me një rrobë që ndërrohet shpesh nga politikanët tanë për interes të tyren, por edhe që përdoret keq për interesat e tyre politike. Të kujtojmë atë që u bë nga politika për Nënë Terezën në etapat për shenjtërimin e saj ose pak më parë në kohë në ceremonialin e varrimit, ku shqiptarët luftonin thjesht të dukeshin sesa të respektonin murgeshën më të famshme shqiptare.
Në orët e fundit, ka pasur një zhvillim disi të papritur, por që tregon edhe njëherë sesa qasje të mangët ka politika jonë ndaj fesë. Kreu i Opozitës, Lulzim Basha, në një intervistë të dhënë për “Der Standard” do të citohej duke thënë se: “Lidhja mes krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në Parlament, në bashki, në institucionet e Administratës Publike janë ulur njerëz, që nuk kanë qenë kurrë në politikë. Ajo që i bashkon është fakti se kanë ngecur nëpër burgjet europiane për trafik droge, trafik të qenieve njerëzore, trafik armësh dhe vrasje. 95% e atyre me të shkuar kriminale, që ulen sot në Parlament, dhe 70% e atyre që drejtojnë bashkitë janë nga veriu i Shqipërisë”.
“Katolikët e veriut – vazhdon Basha, – kanë qenë bastioni ynë. Por Edi Rama rekrutoi në veri llumin e llumit për të shkatërruar fortesën tonë atje. Ata janë fuqizuar e kanë caktuar krerë policie e taksambledhës”.
Furtuna që ngriti me këto fjalë lideri i opozitës ndaj vetes më shumë duhet konsideruar si qasje e gabuar që politika e kohës ka ndaj religjionit, e ca më shumë kuptueshmërinë e saj. Paradoksalisht, në vend të një Mea Culpe, kreu i opozitës tashmë mbrohet nga njerëzit afër tij.
Kthim pas
Provokimet e fesë janë shpeshtuar disi, në vitet e fundit, paçka se Shqipëria mban maskën e një harmonie të përsosur fetare. Kryeministri Rama e shfrytëzoi deri vizualisht në Francë në marshimin masiv përkujtimor ecjen e klerikëve shqiptarë të katër besimeve, kurse pak delegacione të huaja kanë ikur nga vendi ynë pa e marrë kumtin e bashkëjetesës. Në fakt, në vitet e fundit, në jo pak raste është parë se kjo harmoni s’është aq e madhe. Në censusin e fundit, zëri i komuniteteve fetare ishte i mekët, kur përshembull komuniteti ortodoks u regjistrua në një minorancë asfare të justifikuar. Myslimanët u ngritën hapur në Shkodër dhe Kosovë kundër imazhit të Nënë Terezës, kurse vetë katolikët do të bëheshin personazhe jo shumë vite të shkuara me traktet e shpërndara, ku kërkohej për kthimin masiv të shqiptarëve në katolikë ‘për arsyen kombëtare’, ndërsa anatemonin myslimanët, duke e lidhur terrorizmin me objektet e kultit. Nuk mbaronte këtu sepse ai trakt i përvishej figurave simbol të Nacionalizmit shqiptar e të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të tillë si Ymer Prizreni, Abdyl e Sami Frashëri etj., dhe revokonte vetëm figurat katolike.
Larg këtyre, më shumë se kaq, kleri katolik ka ngjallur shpesh xhelozi. Kështu duke evidentuar imazhin shqiptar si flamurtar të Krishtërimit dhe bastion ndaj osmanizmit, ka ngjallur jo shumë pakënaqësi te dy komunitetet e tjera, myslimane dhe ortodokse me kontribute gjithaq por mbase edhe më të shumët në shtrirje kohore sa i përket pavarësisë së vendit.
Gjithsesi ka qenë politika ajo që i ka trazuar shpesh ujërat. Sali Berisha që e futi Shqipërinë në organizatën e vendeve islamike pas do kohësh identitetin evropian të shqiptarëve e identifikonte me fenë katolike! Sikur të kishte kaluar një shekull dhe jo vetëm pak vite. Madje prova më e madhe sipas tij do ishte qenia e tyre e vetme si popull katolik në Perandorinë Bizantine!!! Fatos Nano një mjeshtër fjalimesh nuk i merrte fare në konsideratë vitet e pushtimit osman dhe veçonte konfesimin kristian të shqiptarëve.
Piku më i lartë i kurbës arriti me atë që kumtoi shkrimtari më i madh i shqiptarëve Ismail Kadare në thirrjen për kthimin masiv të shqiptarëve në katolikë. Kjo ngjalli një lloj presioni të madh, por liroi dhe shumë mendimin alternativ në popull sa i përket besimit, që nuk mund të pranonte që supremacia të kalonte vetëm te katolikët.
Më tej, katolikët kundër katolikëve
Daton i 24 prillit 1933 urdhri i Ministrisë së Arsimit, për të mbyllur të gjitha shkollat private në vend. Në to preken dhe shkollat e komuniteteve fetare (mes tyre dhe ato katolike), ndërsa vendimi që hyn në fuqi 3 ditë më pas firmoset nga dy personalitete katolikë Hilë Mosi dhe Marash Ivanaj. I vetmi reagim do të ishte nga Ati i madh At Gjergj Fishta që e shvleftëson aktin e tyre në gjimnazin françeskan që e drejtonte, teksa bën një thirrje publike “Rrnoftë Shqipnia”.
Pas protestave dhe vetëm tre vjet më vonë, përmes një urdhri të Ministrit të ri të Arsimit Nush Bushatit, u rihapën shkollat katolike. Provinca Françeskane, e cila e kishte hedhur Shtetin shqiptar në Gjyqin e Hagës, mori verdiktin pozitiv në favor të shkollave katolike. Vetëm se shqetësimet me Zogun nuk mbarojnë këtu sepse ai arriti dhe mundësoi edhe dështimin e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe Vatikanit lidhur me nënshkrimin e Konkordatit.
“Bisedimet dështuan sipas Ukgjinit që ka përgatitur kohët e fundit një studim të plotë për historikun e kishës në trojet shqiptare, sepse nga njëra anë ishte kërkesa e qeverisë shqiptare për njohjen e institucionalizmin e martesës civile të së drejtës së divorcit dhe pretendimi i saj për kthimin e kishës në një institucion patriotik, të cilat u refuzuan nga Vatikani. Nga ana tjetër vinte kërkesa e Selisë së Shenjtë për të emëruar e shuguruar klerikë të huaj në hierarkinë e lartë të Kishës, që u refuzua nga shteti shqiptar. Kjo përplasje mes Zogut dhe Kishës Katolike shënoi një armiqësi të vërtetë”.
Të gjitha këto përplasje do të ishin asgjë para asaj që do ndodhte me komunizmin. Kisha katolike edhe pse e sprovuar në territoret me shqiptarë do vuante dyfish. E para nga regjimet e egra të Zogut dhe ajo që po e priste prej Enver Hoxhës dhe e dyta nga regjimet sllave. Represioni i Monarkisë së Jugosllavisë dhe në fund të shekullit të shkuar nga Millosheviçi do shkonte në përmasa të papara. Megjithatë, Kisha katolike e kapërcen veten dhe merr mbi vete të përçojë mision kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Më herët ata bëjnë një memorandumi mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, drejtuar Lidhjes së Kombeve në 1930 nga Dom Gjon Bisaku, Dom Shtjefën Kurti e Dom Luigj Gashi, ku kleri katolik ngrihet në nivelin e përfaqësimit e mbrojtësit të interesave të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi fetar. Ndërkohë që pas 1945, lufta kundër Kishës Katolike në Shqipëri do marrë përmasa që janë të pakrahasueshme me asnjë vend të Evropës. Statistikat do jenë të tmerrshme: “Në burgjet e shtetit 2 argjipeshkëv, 5 ipeshkëv, 1 abat, 65 priftërinj dioqezanë, 33 françeskanë, 14 jezuitë, 10 seminaristë dhe 8 murgesha. Gjithsej 136 persona”, thotë Ukgjini.
Problematikat
Vetë kisha katolike shqiptare është e dyzuar. Pikë së pari në qëndrimin ndaj pushtimit dhe të ardhmes së Shqipërisë, ndërsa e dyta ndaj rrëgjimit në fuqi.
“Iluzionet për një Shqipëri të zhvilluar, të pavarur edhe të bashkuar dhe për një Kishë Katolike mbarëshqiptare nën pushtimin e huaj si një fazë kalimtare rezultuan mundësi jo reale për kohën. Por kjo nuk ka rëndësi, sa ç’ka fakti që autori ia lë në dorë lexuesit të nxjerrë konkluzionet e veta për këtë ngjarje dhe të tjera të diskutueshme, të historisë së Shqipërisë e trojeve shqiptare në përgjithësi”, do shprehet historiani Xhufi. Po i njëjti, duke cituar studimin e imzot Ukgjinit do të na kujtojë se edhe mes vetë Kishës shqiptare dhe Vatikanit ka kontradikta, prej meshtarëve që caktohen në vend dhe që nuk luajnë rol të mirë në marrëdhënie fetare.
Ashtu si merret me mënd kulmin dhe sidomos vulën e sherrit Kisha Katolike e vuri në bashkëpunimin e saj të hapur me Italinë, që ligjërues të ndryshëm e lidhin me nevojat e mëdha financiare që ka komuniteti, e që e sheh si partner të mundshëm Italinë fashiste. Në këtë shikim janë personalitetet më të mëdha të kishës duke filluar nga At Fishta dhe duke vazhduar me patër Anton Harapin, Imzot Gaspër Thaçi, Atë Pal Dodaj, Dom Lazër Shantoja. Kjo nuk lë shumë përshtypje të mirë tek njerëzit, ndërsa kuptohet që lëvizja nacional-çlirimtare do e llogarisë si problem. Të gjithë menduan se në momentet e pushtimit, detyrë kryesore ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë, ruajtja e flamurit kombëtar, e shkollave dhe gjuhës shqipe, administratës shqiptare shtetërore, civile e ushtarake, ndërsa nuk duan një Shqipëri të vjedhur dhe batërdisur siç ishte ajo e kohës të Mbretit Zog, që nuk ka fare identitet. Ndërkohë që justifikimin e ngrenë me fjalët e shpeshta se së shpejti mbi vend do pllakosë një stuhi e zezë ateiste, e cila do ta shkatërrojë krejt e mbarë Shqipërinë. Fjala është për komunizmin që atëkohë konsiderohet si një trend.
Anipse, vetë kleri nuk e duron dot situatën dhe vendos të kanalizohet politikisht! Në relacionin e Komitetit Qendror të vitit 1947 që mban titullin “Politika e Vatikanit në Shqipëri”, duke hequr notat e zakonshme patetike dhe akuzuese emrat e klerikëve katolikë i hasim te partitë. Kështu në Partinë Demokristiane gjenden pothuajse emrat të gjithë klerikëve katolikë me në krye delegatin apostolik Leone Nigris; kurse te Balli dhe Legaliteti: Dom Zef Shestani, P.Luli, P.Anton Harapi, P.Gjon Shllaku, P.Daniel Dajani, Dom Ndre Zadeja etj. Dhe, s’mbaron këtu se Dom Luigj Pici nga Shkodra ndërkohë është përkrahës i komunizmit dhe madje atë regjimi e bën edhe kryetar të Këshillit të Qarkut!!!
Delegati apostolik Leone Nigris, që vëzhgon nga jashtë, e pohon se klerikët janë pjesëmarrës në organizata kundër Partisë Komuniste, ndërkohë që ai vetë kontakton me misionin anglez, si dhe me përfaqësuesin e Kishës Katolike, Gaspër Thaçin. Gjithsesi komunistët që me evidencat e para kundër tyre nuk e falin kishën për të gjithë këtë dyzim dhe e akuzojnë për komplot kundër qeverisë. Përkeqësimi i marrëdhënieve do shkonte deri aty saqë krerët katolikë u cilësuan si “bashkëpunëtorë” në shërbim të vendeve të huaja. Kjo bëri që pjesa më e madhe e shqiptarëve katolikë mos ta pranojnë kurrë vullnetarisht komunizmin. Psikoza në një vend që e pushton propaganda komuniste është krejtësisht kundër fesë dhe sidomos kundër katolikëve, angazhimi i të cilëve lidhet me të këqijat më të mëdha që ka kaluar vendi. Se ç’ndodhi më vonë s’ia vlen të thuhet por mbi komunitetin katolik pati raprezalje dhe dënime të tmerrshme ndaj intelektualëve të saj, shtuar edhe me kufizimin dhe marrjen e burimeve humane e materiale.
…
Ringritja e vështirë e komunitetit pas viteve ’90, konfuzioni i politikës shqiptare që mungesën e identitetit e përdor duke marrë herë formën e njërit religjion dhe herë tjetrit e bën komunitetin katolik shumë të ndjeshëm ndaj situatave, madje disa herë duke e tepruar. Tek e fundit e kanë vuajtur në kurriz të tyrin në çdo sistem në Shqipëri se politikanët shqiptarë shpesh nuk janë aq demokratike më ta. Dhe, jo më kot, instinktivisht doli së fundmi dhe nga goja e kryetarit të opozitës ky citim i pamenduar, që tashmë mezi po e korrigjon. (Javanews)