Sipas rregullores së re, bankat mund t’i ndryshojnë interesat vetëm sipas kushteve të dakordësuara më klientët në kontratën fillestare të kredisë.
“Momenti që banka do të ndryshojë këto interesa përcaktohet qartë në kontratën me klientin. Konsumatorët duhet të jenë në dijeni se kur mund të jetë momenti i ndryshimit të këtyre interesave”, deklaron Deniz Derralla, drejtor i Mbikëqyrjes në BSH.
Por edhe pas përmbushjes së kushteve, banka duhet gjithmonë të njoftojë qytetarin apo biznesin për ndryshimin e interesit.
“Në momentin që është e sigurtë që klienti e ka marrë njoftimin duhet të kalojnë minimumi 15 ditë që këto kushte të reja të vihen në përdorim”, thotë Derralla.
Megjithatë, klientët kanë gjithmonë të drejtë të kundërshtojnë ndryshimin e interesit.
“Në vartësi të kontratës që klienti ka me bankën bëhet edhe zgjidhja e mosmarrëveshjes. Banka në rastin normal mund të kërkojë kthimin mbrapsht të kredisë, por sigurisht kjo çështje mund të zgjidhet edhe me gjyq”, sqaron Derralla.
Paralelisht rregullorja disiplinon edhe mbylljen e llogarive, të cilat qëndrojnë për disa kohë pasive.
“Ne kemi patur mjaft raste kur klientët janë ankuar se llogaritë e tyre kanë kaluar në llogari joefektive pa dijeninë e tyre. Pikërisht në këtë rregullore është përcaktuar fakti që duhet të jetë përcaktuar në kontratë mënyra dhe koha kur një llogari bankare do të quhet e tillë”, thotë Derralla.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rregullorja e re përmirëson transparencën bankare në shumë drejtime, duke mbrojtur qytetarët dhe biznesin./TCH
a.ç