Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për komentet e tij në një gazetë gjermane, në të cilën ai foli për aktivizimin e elementëve kriminalë në zonat veriore të vendit. Ato komente janë interpretuar gjatë në mediat shqiptare. Por kreu i PD-së tha se ai kurrë nuk i kishte ndarë njerëzit, apo edhe kriminelët sipas përkatësive fetare.
“Para disa ditësh një fushatë shpifjesh ka nisur nga mendje të shprishura, që ka muaj që kërkon të përçajë shqiptarët. Duke marrë shkas nga një intervistë e imja në një gazetë perëndimore ka nisur kjo fushatë dizinformumi. Dua së pari që të refuzoj me përbuzje shpifje të ulëta, të cilët akuzojnë në gojën time përkatësi fetare për kriminelë. Qëndrimi s’ka qenë asnjë gjë më shumë dhe se në zonat, më antikomuniste të Shqipërisë janë përdorur elementë kriminalë, që ato zona që kanë votuar historikisht për të djathtën, të kthehen majtas nën trysninë dhe krimin”, tha Basha.
Intervista e Bashes per gazeten austriake ‘Standard”
Standard: Çfarë ju shqetëson juve më së tepërmi?
Basha: Lidhja mes krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në parlament, në karriget e kryetarëve të komunave dhe në drejtimin e shumë institucioneve publike qëndrojnë persona që kurrë nuk kanë qenë në politikë.
Çfarë ata i bashkon është vetëm kontrabanda me drogë dhe armë, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore dhe vrasjet; një pjesë e tyre kanë qëndruar edhe në burgjet europiane. 95 përqind e personave me origjinë kriminale që qëndrojnë në parlament dhe 70 përqind në komuna janë katolikë nga veriu i Shqipërisë.
Standard: Çfarë ka të bëjë kjo me politikën?
Basha: Katolikët e veriut kanë qenë bastioni ynë. Pra zoti Rama ka rekrutuar llumin e veriut, për të shkatërruar bastionin ynë. Ata janë të fuqishëm dhe kanë emëruar drejtorë policie dhe taksambledhësit. Në 2016 Shqipëria u kthye në plantazh kanabisi.