Nga Lorenc Vangjeli/
Të gjithë kundër Bashës, edhe vetë Lulzim Basha kundër tij
Ose kur “tafmoja e modhe t’le pa gjo”!
Në një kthim koke pas, jo më shumë se tre javë e ca më parë, shumë gjëra në Tiranën e sotme politike do të ishin ndryshe nëse opozita shqiptare do të ishte ndryshe. Do të vepronte ndryshe. Do të arsyetonte ndryshe dhe nuk do të mbetej pre dhe nuk do të bëhej kurban i shprehjes së famshme tiranase se “tafmoja e modhe t’le pa gjo”!
Në 25 prill opozita shqiptare po merrte në tavolinë me betejën e çadrës gjithçka. Edi Rama, i gjendur në dy fronte beteje, njërin real në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Lulzim Bashën, tjetrin gjysëm të shpikur, tre çerek fantazmë dhe çerek të sajuar, me Metën e deri diku Idrizin në anën tjetër të trotuarit të bulevardit, kishte lëshuar deri në tetë ministra. Me skemën katër plus katër. Katër njëherë me Saimirin dhe Ilirin dhe katër të tjerë të premtuar që do të nisnin, por nuk do të bitisnin me Fatmirin. Eshtë e lehtë të imagjinohet se nëse Basha vendoste atëherë të dilte nga çadra dhe të hynte në zgjedhje, do ta niste fjalimin e tij me fjalët: “Ja rrëzuam qeverinë Edi Ramës! I hoqëm tetë ministra. Përpara drejt qershorit të përzejmë dhe atë vetë nga zyra”!
Dhe kjo do të ishte vetëm një pjesë. Opozita do të kishte dorë dhe në dorë edhe Avokatin e Popullit, edhe KQZ-në, edhe drejtorë policie, pyjoreje, elektriku dhe po ta kërkonte, mund të merrte dhe shefin e përgjithshëm të zjarrfikësve.
Ajo do të mundej në zgjedhje nga dyshja (me gjasë treshja me gjithë Idrizin) Rama-Meta, por kjo do të ishte fitorja më e dobët e Edi Ramës, më e brishta dhe më e pasigurta. Kryeministri do të kishte gërryer pushtetin e tij dhe do të fitonte një mandat që do të mbante në shpinë dhe shumë pikëpyetje nga mandati i parë qeverisës. E gjitha kjo sepse ai do të ishte dorëzuar me vetëdijë përpara lojës së dukshme të Bashës dhe realpolitikës që bënte Meta, të cilin ai më së paku nuk e besonte. Sepse mendonte se çfarë do të bënte ai vetë në vendin e Metës në të njëjtat rrethana. Në gjithë këtë skemë, Basha do të meritonte të kosniderohej gjeni. Nga janari i këtij viti kur zgjedhjet ngjanin një shëtitje elektorale nëse Rama dhe Meta hynin bashkë në zgjedhje, në prill, kur vetë zgjedhjet nisën të vihen në dyshim për shkak të vullnetit të aksionit Bashës. Ai do të ishte i vetmi udhëheqës opozite që në më pak se tre muaj protestë kishte çmontuar një qeveri legjitime, kishte mbajtur ndezur zjarrin e dyshimit në mes maxhorancës, e kishte detyruar atë të hynte e fragmentuar në paradhomën e zgjedhjeve, e kishte paraquajtur pa ndodhur ende si hajdute të zgjedhjeve dhe e kishte pothuaj groposur si të kriminalizuar dhe të droguar. Tetë vjet më parë, socialistët e Ramës duke nisur nga vjeshta e 2009-ës kishin protestuar nga jugu në veri, kishin bërë një grevë epike urie në bulevard për të marrë vetëm të drejtën për të hedhur një sy brenda kutive të votimit dhe nuk e morrën as atë. U tallën dhe u refuzuan nga Berisha edhe pse Meta vepronte dje, njëlloj siç gjykonte edhe sot. Për të mbërritur në kulmin e 2011-ës kur në janar i vranë dhe në maj edhe i vodhën duke i rrahur e tallur, pa i lejuar as të qajnë pqër vjedhjen, rrahjen dhe talljen që ju bëri Berisha.
Basha e refuzoi 25 prillin. “Tafmoja” dhe jo padija e la në rrugë. Kur u kujtua për një mundësi të dytë ishte dhe është vonë. Të gjitha zgjidhjet politike të krizës, të mbështetura
në mundësitë ligjore tashmë kanë vdekur. Ka mbetur vetëm shpresa për zgjidhje politike, nga ato lloj zgjidhjesh që do t’i bënin juristët ose të qeshnin nga habia, ose të qanin nga dëshpërimi.
Por në të gjitha rrethanat është më mirë që të kenë problem juristët sesa gjithë vendi. Kjo është shpresa e fundit për Bashën. I cili tashmë sheh se midis tij dhe pushtetit të sotëm të Edi Ramës janë ngritur njëri mbas tjetrit tre mure; habia evropiane, mëria amerikanë dhe mbi të gjitha, me të gjitha gjasat, edhe arsyetimi i qytetarit që voton. Sot edhe Basha, në rrethana të ndryshuara kryesisht për shkak të kohës, është kundër Lulzimit të djeshëm që kishte gjithçka në dorë dhe tani është në situatën që mund të lerë gjithçka.
Ka një gabim të bërë rëndom në politikën shqiptare, të re për nga tradita dhe të “vrullshme e të rrëmbyeshme” si adoleshenca: protagonistët e saj kanë zgjedhur gjithmonë sopatën përpara bisturisë. Ata nuk kanë pranuar kurrë bisturinë për të operuar në mënyrë të moderuar, por kanë rëmbyer sopatën për të prerë. Politika është një zanat që nuk bëhet me pahir. Në thelb ajo nuk kërkon humbës me çdo kusht, por është një art që kërkon të bëjë gjithkënd fitues. Dhe rebusi i këtyre muajve ishte i thjeshtë: si të dilte Basha i fituar nga çadra oër t’u mundur pastaj me zgjedhje në zgjedhje nga Rama e Meta. Vetëm kështu, sipas rradhës, fitonin të gjithë. Edhe Rama, edhe Meta, edhe Basha dhe mbi të gjitha, nuk humbnin shqiptarët.