Ftesës së Partisë Republikane dhe asaj Agrare Ambientaliste për një takim sonte në orën 20:00 në Kryesinë e Kuvendit i janë përgjigjur Lulzim Basha, Ben Blushi, kreu i LSI Petrit Vasili, kreu i PDIU Idrizi, Dashamir Shehu dhe Nard Ndoka. Ndërkohë që nga PS ftesa ende nuk ka marrë një përgjigje, ndërsa kryeministri Rama pasditen e sotme ndodhet në një takim elektoral në qytetin e Elbasanit.
Agron Duka dhe Fatmir Mediu përmes ftesës për të gjitha partitë po tentojnë një përpjekje të fundit për të mbledhur në një tryezë Ramën dhe Bashën për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik. “Duke konsideruar faktin që SHBA kanë ofruar propozimet dhe mbështetjen e tyre për zgjidhjen e kësaj krize, ju ftojmë në mënyrë të përbashkët të arrijmë në një marrëveshje, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm” thuhet në njoftimin për mediat të PR dhe PAA.
Kjo është tryeza e dytë që thirret për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik, pasi në muajin Prill, ishte kryetari i parlamentit Ilir Meta që thirri një mbledhje të partive parlamentare. Lëvizja e Metës erdhi pas dështimit të përpjekjeve të dy eurodeputetëve McAllister e Fleckenstein për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës, pasi atëherë ndryshe nga sot, opozita nuk pranoi propozimet e kompromisit duke këmbëngulur në nevojën e një qeverie teknike.
Perditesim
Nderkohe ne takimin e ores 8 duket se ka vendosur te shkoje edhe Rama e Basha. Madje dy kreret politike kane konsumuar nje moment humori, kur Rama eshte ndalur te degjoje ato qe Basha deklaronte per mediat.