Një grevë e përgjithshme 24-orëshe filloi sot në Greqi kundër masave të reja shtrënguese kërkuar nga kreditorët e vendit, që u debatuan në Parlament.
Greva, me kërkesë të sindikatave publike dhe private ka prekur kryesisht sektorin e transportit. Transporti publik në Athinë, metrotë, autobusët, tramvajet do jenë të bllokuara gjatë gjithë ditës.
Linjat detare drejt ishujve janë bllokuar tashmë që prej ditës së djeshme pasi marinarët kanë vendosur një grevë prej 48 orësh.
Shumë fluturime, kryesisht të brendshme, janë anuluar ndërkohë që për fluturimet ndërkombëtare është dashur riprogramimi i orareve për shkak të ndërprerjes së punës së pilotëve.
Shkollat janë mbyllur dhe spitalet funskionojnë me personel të reduktuar.
Grumbullimet kanë nisur në qendër të Athinës me kërkesë të sindikatave private GSEE dhe publike Adedy.
“Ne dëshirojmë të japim një mesazh të qartë për qeverinë, Bashkimin Evropian (BE) dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që ne nuk do të lejojmë shkatërrimin e jetës tonë”, theksoi për median Alekos Perrakis, një anëtar i njërës prej sindikatave./b.d