Nga Ben Andoni
Monumentit të Pavarësisë në Tiranë, ngritur me ngutin e madh, që të ishte si objekt nderimi me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, i kanë vjedhur dhe katër panele. Mund t’i kenë vjedhur këto ditë, por edhe më parë, por askush nuk mund të konfirmojë asgjë. Sak një vit më parë, u vodhën katër panele dhe autoritetet bashkiake thanë se kishin marrë masa. Por, jo që se kanë bërë një gjë të tillë, por monumenti është me katër panele më pak.
Një pllakë kushton 400 euro. Mungonin shtatë syresh. Janë shtuar dhe katër të tjerë.
Kaq në gjendje të mjeruar është monumenti tani, saqë nuk dihet më se kur i kanë marrë, si i kanë marrë apo pse i kanë marrë pikërisht tani. Një përgjigje e lehtë të vjen në mëndje, kur kujton shkrehjen e të gjithë pushtetit lokal në kryeqytet dhe katandisjen e tyre pas zgjedhjeve.
Gjithsesi, vetëm 100 metra nga zyra e Ministrit të Financave dhe 150 metra në drejtimin lindor nga zyra e Ministrit të Brendshëm, monumentit i janë zhdukur qetësisht panelet e tjera. Pra, katër syresh, të munguara që vjet, janë në pjesën ballore poshtë nga ana jugore’ dhe tani, katër të tjera syresh janë marrë nga ana veriore. E trishtueshme është se jo vetëm askush s’është kujtuar për lajmin, por ai nuk përbën më asnjë problem, qoftë edhe sikur të vidhet i gjithë. Është shkruar dhe thënë se duhej të ishte një polic bashkie, me detyra mbrojtje dhe duhej ta ruante, madje një kolegu i tij u akuzua për të, por pllakat e korrikut të një viti më parë tashmë u janë shtuar dhe katër të tjera.
Tashmë monumenti është një ngrehinë realisht rrjepacuke, që ia shton trishtimin firmave të baballarëve të kombit, që në këtë batardi, firmat u ngjajnë si të lëna aty prej njerëzve-grafiti në klandestinitet. Ironia është se të rinjtë e të gjithë trevave shqiptar-folëse, jo vetëm se nderojnë, por e kanë mbushur me shënime patetike, kushtuar dashnoreve dhe njëri-tjetrit, duke e bërë monumentin e pavarësisë, një objekt vërtetë të sikletshëm dhe të turpshëm në mes të kryeqytetit.
Mbase një nga sfidat e para të Tiranës, për Erion Velinë do të jetë pikërisht marrja me fatin e këtij objekti, që vazhdon të fusë duart në xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit …
Por, ironia shtohet më tej nga harxhimet e kryeministrisë dhe luksin që paraqet, ndërkohë që një objekt, pretenduar patriotik, jo shumë larg, jo vetëm po rrënohet, por edhe po përçmohet. Në këtë indiferencë, të paktën, mund të ketë punë për hajdutët, sa nuk e kanë hequr fare, për të zezën e tyre dhe të të gjithë neve bashkë.