Nga Moikom Zeqo/
Gazetari i Ditas, miku im Xhevdet Shehu e ftillëzoi një Forum për rolin e intelektualit në shoqëri dhe në kohën e sotme, ku morën pjesë dhe u shprehën figura të shquara dhe të respektuara të kulturës shqiptare si Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi. Natyrisht ka një spektër pikëpamjesh dhe idesh për të saktësuar një semantikë filozofike por dhe shkencore të rolit të intelektualit në përgjithësi.
Në debat mora pjesë dhe unë me një shkrim të shkurtër eseistik. Ndërkohë mund të them se gjatë këtyre 26 viteve të fundit jam shprehur shpesh për raportin e intelektualit me politikanët, për kauzën e së vërtetës kundër gënjeshtrës.
Ndërkohë 23 vjet më parë (në 1994) kam shkruar për nismën e intelektualëve të mëdhenj evropianë, për sfidën e tyre publike për të krijuar një Parlament Ndërkombëtar të Intelektualëve. Nisma qe vizionare. Por për fat të keq funksionalizimi i këtij institucioni u ndërpre. Por kjo nuk do të thotë që është mposhtur ideja e epërme dhe fuqiplotë e rolit të intelektualit si hulumtues dhe mjeshtër i së vërtetës. Përgjithësisht i jam referuar disa intelektualëve që përbëjnë shëmbëlltyra. I jam referuar Umberto Ecos dhe Joan Gojtisolos, por dhe George Steinerit. Për intelektualët e Shqipërisë kam konstatuar në mënyrë të trishtuar se në përgjithësi e kanë sfumuar rolin e kërkimit të së Vërtetës dhe kanë rënë në përshtatje ,apo në kurthin e klientelizmit politik, apo të lajkatimit të neveritshëm të njerëzve mediokër të politikës. Pse ka ndodhur kështu?Kjo kërkon një analizë të thellë.
Përgjithësisht intelektualët në Shqipëri për shkak edhe të formimeve kulturore të sipërfaqshme, pra jo të thella dhe të qëndrueshme kanë luajtur në pozitën e një lejfenizmi shpirtëror, sa të apologjisë etatiste-komuniste ,aq edhe të identifikimit të marrëzishëm në një antikomunizëm absurd.
Umberto Eco i jep rëndësi përcaktimit se çfarë është intelektuali. Sipas Ecos nuk mund të jetë intelektual një njeri që punon në një profesion. Fjala vjen një nëpunës i bankës e quan veten intelektual, po nuk është aspak Galileo Galileo. Sot të gjithë me një kompjuter para vetes vetëshpallen intelektualë. Intelektual është ai që me kreativitet sjell njohur të reja. Një dijetar i tokës që prodhon specie të reja mollësh, bën në fakt një aktivitet intelektual. Përkundrazi, nënvizon Eco, profesori i filozofisë që gjithë jetën e përsërit të njëjtën ligjëratë për Hajdegerin nuk ka lidhje me intelektualin.
Pra, kreativiteti kritik – të kritikosh çfarë po bëjmë, ose shpikim mënyra më të mira për të vërë gjërat – është shenja e vetme e funksionit intelektual. Intelektuali mund të angazhohet politikisht si çdo qytetar tjetër. Por Ai përdor reputacionin dhe vizionin për të përkrahur një kauzë të vërtetë. Ai e ka të qartë se klasa politike e çdo vendi, përgjithësisht edhe politikanët kryesorë janë krijesa, qoftë dhe të arsimuara, por mandatorë. Mandator do të thotë me pushtet të limituar në kohë, por dhe në hapësirë.
Të lidhur me pushtetin ato synojnë suksesin, përfitimin por jo të Vërtetën. Ky hibrid i njohjes me pushtetin, sipas Mishel Fukos e degjeneron të Vërtetën. Pra përgjithësisht politikanët bëjnë manipulimin e të vërtetës.
Forma më e frikshme e këtij manipulimi është propaganda virtuale e shfrenuar, që përbën një narcisizëm publik të neveritshëm. Në këtë pikë vetëm njerëzit me botëkuptim të lirë, pra Rebelët e Lirisë, mund ta kundërshtojnë të keqen, mashtrimin dhe shpërbërjen konceptuale. Kjo kërkon trimëri intelektuale të pashembullt. Kjo kërkon strukturimin e një kauze dhe misioni të vetëdijshëm dhe sipas një koncepti universal.
Një intelektuali të tillë të pafrikshëm i shkojnë përsë miri vargjet e poemës së famshme të Viktor Hugoit “Ultima verba”:
“Njëmijë po të mbeten, do të mbetem dhe vetë,
Dhe njëqint po të bëhen, nuk do tundem që aty,
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,
E në mbetëtë veç një, do të jem unë ay!”
Me këtë strofë emblematike unë e mbyll librin tim të vitit 1994 të quajtur “Rexhep Qosja dhe Çështja Kombëtare Shqiptare”. Rexhep Qosja e meriton titullin intelektual i madh. Ai ka qenë dhe është i paepërm. I pafrikshëm. I pakompromis. I qartë.
Të qartë janë vetëm njerëzit e ditur. Të paditurit nuk mund të jenë të qartë. Për të bërë më të plotë arsyetimin tim për idenë e intelektualit të vërtetë po risjell dy shkrime për këtë subjekt madhor të botuar në librin tim “Paradokset e demokracisë”, Evropa, Tiranë 1994, faqe 51-57. Këto shkrime tregojnë ankthin e shqetësimeve. Pra vetë problematikën përvëluese. Kaq të pranishme dhe inkandeshente edhe në ditët e sotme. Politikanët, partitë, strukturat e pushtetit nuk kanë asnjëherë karakter absolut, madje në pikëpamjet të perspektivës historike janë të lëvizshme, të brishta dhe të harrueshme. Në këtë kuptim intelektuali i vërtetë është një nga format jetike të Shpresës. Pra dhe të së Ardhmes.
Ja tekstet e mia të 23 vjetëve më parë, që shfaqen më poshtë:
PARLAMENTI NDËRKOMBËTAR I INTELEKTUALËVE
Askush nga ne nuk lind dhe vdes, pavarësisht nga të tjerët – Shën Pali, Korintianeve, 14, 7
Parlamenti Europian në Strasburg është një sfidë serioze ndaj utopive që kanë mrekulluar njerëzimin, po dhe që e kanë dëshpëruar barbarisht.
Ksenofobët e vjetër dhe të rinj, asketët e vetmuar, por të ditur, që e personalizojnë tërë universin vetëm brenda trupit të tyre, (duke e vetëkastiguar trupin ata të marrë ndëshkojnë vetë universin) duelistët kalorës të Mesjetës, që nuk kanë pranuar asnjë kompromis mes tyre, përveç vdekjes, doktrina e dështuar e bipolarizmit ideologjik të shek.XX, tallësit e pashpirt të Esperantos, polemistët dhe pamfletistët gjenialë dhe sanguinë, që vërtetojnë segregacionin e individëve, kombeve, shteteve, racave të ndryshme, të armiqësisë astrologjie të yjeve, kometave, kuajve, jaguarëve, luleve dhe kontinenteve, filozofët e feminizmit, krejt të papajtueshëm me filozofët e epërsisë mashkullore të mitizuar (homoseksualizmi dhe lezbizmi sipas tyre janë absolutisht më të rëndësishme dhe natyrore se ndërseksualizmi, se marrëdhëniet midis sekseve të kundërt janë një blasfemi tragjike – shënimi im M. Z.) etj. etj. e urrejnë për vdekje me heroizëm mallëngjyes e mospërfillje idenë dhe realitetin e Parlamentit Europian.
Po Parlamenti Europian megjithë merr frymë, fiton autoritet të padiskutueshëm botëror, mbijeton, sendërton shpresat, është kthyer në një kryetempull panteonik, juridik.
Parlamenti Europian është shprehje ekzistenciale e Rendit të Ri të Njerëzimit.
Parlamenti Europian ka flamurin e vet, siç ka dhe tërë flamujt e kombeve që e përbëjnë.
Burrat vizionarë të shteteve, politikanë me ideale të humanizmit e kanë të qartë se mekanizmi ndërkombëtar nuk është aspak si sistemi i sferave të Ptolemeut, dijetar aleksandrin i shek.II të erës sonë, ku secila sferë rrotullohet vetëm për hesap të vet.
Në të vërtetë Aristoteli, mendimtari i habitshëm dhe më i madh i lashtësisë, teoricieni i pakundërshtueshëm i kulturës politike të qytetit-polis, ndonëse nuk shprehet se tërë bota është një qytet i madh dhe i vetëm, por një tërësi qytetesh të veçanta (ruralistët, ithtarët këmbëngulës të Zhan Zhak Rusoit kanë vënë në dukje me dashakeqësi, po jo dhe pa mprehtësi ,se Aristoteli është qytetarocentrik dhe nënvleftësues i padenjë i fshatit dhe ideve maoiste – shënimi im M. Z.) duke shkruar 11 kushtetutat e qyteteve polis në kohën e vet, duke përfshirë dhe Kushtetutën e Dyrrahut tonë në shek.IV para erës sonë, i ka bërë ato të ngjashme, thuajse si shumëfishim i një kushtetute të vetme universale.
Tërthorazi Aristoteli akuzohet si projektues i Parlamentit Europian, ndonëse duke qenë ballkanas, nuk e parashikoi këtë gjë për ballkanasit, që vërtet në antikitet qenë qytetarët e parë, porse sot, për një mister dhe pakuptimësi hyjnore të historisë janë ende qytetarët e vonuar të Europës moderne.
Strasburgu është bërë një simbol i madh i ngritur mbi polemikat e stuhishme sipas medias.
Por emri shpresëndjellës e krenar i Strasburgut bie ndesh dhe është në kontradiktë me semantikat e kobshme të luftës që përhapen nga Sarajeva. Katastrofa e pabesueshme në Bosnjë-Hercegovinë e ka sfiduar Parlamentin Europian.
Analistët politikë, gazetarët kureshtarë dhe vetëmohues, cinikët dhe kartezianët, akademikët dhe parodistët, astrologët dhe futurologët, poetët dhe gjeneralët etj., kanë turbulluar opinionin publik evropian dhe botëror me dyshime, për një lloj fataliteti mynihas dhe nëse besohet akoma dhe sot teoria cinike e historisë së Xhambatisto Vikos (që shkrimtari enigmatik Horhe Luis Borhes me një mendjelehtësi gjeniale e ktheu në kult, gjë që i ka ngatërruar kritikët dhe estetët, që kanë shkruar për tregimet e tij fantastike me mbishtresa filozofike të stilit barok – shënimi im M. Z.), mund të artikulohet fakti i pamohyueshëm se pikërisht Sarajeva, që lidhet me Luftën e Parë Botërore mund të bëhet shkas për Luftën e Tretë Botërore.
Këto profeci aspak gazmore kanë bërë që shumëkush të luajë rolin e lakmueshëm të Kasandrës.
Shkrimtarët dhe intelektualët janë të tillë pikërisht se nuk mund të jenë indiferentë. Edhe ezoterikët më të vendosur, edhe ata që e stigmatizojnë politikën dhe për fatalitet merren prapë me politikë nuk mund të pajtohen me luftën absurde të Bosnjë-Hercegovinës.
Kretinizmi parlamentar i politikanëve është gjithsesi i pashmangshëm dhe i kuptueshëm si sëmundje profesionale kudo në botë, ndaj shkrimtarët nuk duan të heqin dorë nga [përgjegjësia e tyre e cila në thelb është më universale.
Përse të mos kenë dhe shkrimtarët Parlamentin e tyre?
Kjo ishte kryefjala dhe sinjali SOS i Apelit të Shkrimtarëve të botuar para ca kohësh në reviztën e njohur franceze “Lignes”. Atë e kanë nënshkruar shkrimtarët dhe intelektualët më në zë të Europës, nobelsitët dhe kandidatë për të tëra çmimet më të larta letrare të botës për të sensibilizuar opinionin publik për atë mënxyrë që po ndodh në B.H.
Shkrimtari dhe publicisti Juan Gojtisolo, autori i “Letra nga Sarajeva”, që e ka shpalosur para syve të të gjithë Apokalispin e B.H ka treguar dhe argumentuar arsyen supreme pse një nismë e tillë e shkrimtarëve dhe intelektualëve është krejt e domosdoshme:“Personalisht më vjen shumë keq që kur është fjala për ish Jugosllavinë ku pati një Malro të ri, një Oruell, një Dos Pasos, apo një Heminguej, të cilët ngritën zërin e protestës në kohën e luftës spanjolle. Presioni i intelektualëve mbi komunitetin ndërkombëtar, i organizuar dhe sinkronizuar, ka mundur, jam i bindur, të ndronte rrjedhën e ngjarjeve në BH.
Mbasi nacionalizmi dhe fanatizmi i të gjitha nyjeve edhe më tej po i kanoset komunitetit botëror jam i bindur se Parlamenti i intelektualëve në të ardhem do të ketë mundësi të jetë një instrument efikas i aksionit kolektiv”, ka shkruar Gojtisolo.
Ideja për një organizatë ndërkomëbtare që të bashkonte intelektualët dhe në radhë të parë shkrimtarët nuk është frymëzuar vetëm nga ngjarjet e llahtarshme në BH.
Nga fillimi i viteve 60 shkrimtari Morice Blanchot ka formuluar domosdoshmërinë për një organziatë të ngjashme. “Ne i përkasim, i shkruante ai shkrimtarit Vitorini, kohës së “fundit të filozofisë”, që si çdo fund, mund të shtrihet në një periudhë mjaft të gjatë historike dhe që na obligon të ndërmarrë aksione radikale të reja”.Morice Blancot sëbashku me Roland Bartin, Mishel Leirisin dhe Robert Antelmon përgatiti dhe botoi në “Revew Internacionale” një projekt sintetik dhe programor, që kërkonte nga intelektualët që bashkërisht e pa ndrojtje e stërhollime të merrnin mbi vete përgjegjësinë për atë që ndodh rrethy tyre, njësoj sikur ndodh brenda tyre.
Internacionalja e Intelektualëve evokon kështu xhestet trimërore të së kaluarës bërë nga raca heretike e tyre, si artikulli fondamental “Akuzoj” i shkrimtarit Emil Zola për dënimin e gabuar të Drajfusit, denoncimi i Anri Barbysit për shkatërrimet e luftës, protestat e Brehtit.pavaresine kriticiste te Rasellit, Comskit , pavarësinë intelektuale të Pastërnakut, Bulgakovit, Kunderës dhe filozofit Patoçka, utopitë negative të Xhorxh Ourellit dhe të Aldous Huxley kundër totalitarizmit politik dhe teknologjik etj.
Ideja e angazhimit të intelektualëve, bashkarisht u bë konkrete para ca kohësh me botimin e librit “Për Salman Ruzhdiun”, ku 100 shkrimtarë, intelektualë arabë e myslimanë (nga të cilët shumica e kanë nënshkruar dhe apelin te revista “Lignes”), ku u shprehën publikisht për heqjen e “Fatvas”, domethënë dënimit absurd me vdekje të Salman Ruzhdisë dhe për lirinë e pakushtëzuar krijuese.
Parlamenti i Intelektualëve, nëse kjo ide do të realizohet, do të ishte një institucion njerëzor dhe kulturor për sigurinë fizike dhe lirinë juridike të shkrimtarëve etj. që janë të rrezikuar kudo në botë, të burgosur, të keqtrajtuar prej shkrimtarëve dhe librave, për të denoncuar ndalimet e censurat gjithnjë e më të mëdha ndaj fjalës së shkruar.
Ky Parlament do të luftonte kundër markentilizmit të neveritshëm të letërsisë dhe kulturës mediokre që është bërë një kërcënim si sëmnudje infektive, favorizuar nga shtëpitë botuese, që kanë afinitete për fitimet e shpejta, do të protestonte kundër honorarëve të vogla dhe të drejtave të shkelura të autorëve etj.
Me qindra shkrimtarë janë deputetë në parlamentet e botës, po a do të krijojnë një ditë dhe ata parlamentin e tyre të veçantë?
Disa shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë megjithëse janë dhe deputetë, po edhe të tjerët, nuk dinë me sa duket asgjë përë këtë Apel. Njëri prej tyre bile dhe erudit, ndonëse i urren shkrimet në gazetat e pavarura dhe ka alergji për “Koha Jonë”, ishte i bindur ( ma tha në një bisedë intime plot me aluzione kërcënuese dhe partenaliste) se BH dhe Sarajeva ishin diku në Azinë e Vogël dhe tërë myslimanët që po vriten atje janë sjellë me avionë dhe në mënyrë të fshehtë nga fondamentalistë arabë dhe sheikët poliglotë të petrodollarit.
Një skeptik akoma më i mençur që sapo ka botuar intervistat e para e që pretendon një rol meteorik në jetën e ardhshme politike më tha një shaka serioze se shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë me gene të pastërta toskësh dhe gegësh duhet ta shpërbëjnë gjuhën e përbashkët letrare si një kufizim kriminal të lirisë dhe meqënëse as çështja kombëtare nuk mund t’i bashkojë se kjo është një utopi moniste aq më shumë kanë arsye të palëkundshme për të mos u indoktrinuar në çështjet ndërkombëtare.
Nuk është aspak habi që mendim të jetë plotësisht i vërtetë ngaqë rrezaton një pragmatizëm të padyshimtë!
E PABESUESHMJA E INTELEKTUALËVE
Më 27 prill të këtij viti,(1994) botova në ZP essenë “Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve”.
Kjo nismë e intelektualëve, e para e këtij lloji në historinë e Europës dhe të njerëzimit u sfidua nga një spekticizëm, i denjë për mediokritetin antiintelektual, duke u parodizuar si “i pabesueshëm”, “utopi romantike e vonuar”.
Ikonografia e politikanëve, e plotfuqishme nga magjitë dhe truket e neveritshme dhe të dyshimta të medias, është paraqitur dhe paraqitet si e vetmja alternativë e pronësisë së problemeve të jetës dhe politikës, si një teologji e stërvjetër dhe e re e autoritetit urdhërues dhe kompetent.
Kulti i rëndë i statistëve, i presidentëve, i ministrave, i diplomatëve dhe gjeneralëve etj. i ka mënjanuar intelektualët, shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj, e ka kthyer inteligjencën evropiane dhe në përgjithësi në një tautologji të tregut të lirë dhe të politikanizmit absurd.
Po intelektualët, ende të panënshtruar nga “taudium vitae” (“neveritja e jetës”) i sfiduan sfidat, arritën të pabesueshmen: domethënë organizuan pikërisht në Strasburg “Parlamentin Ndërkombëtar të Intelektualëve”.
Sipas gazetës “Le Mond” nismëtarët shpallën në Paris, para ca kohësh, realitetin e një aksioni kolektiv intelektual, të këtij parlamenti unikal në historinë e botës.
Këta guximtarë vizionarë janë Zhak Derrida, Karlo Fuentes, Pjerr Burdie, Eduard Glissani, Toni Morrisoni, Breyten Breytenbah, si dhe i famshmi dhe i dënuari me vdekje Salman Ruzhdie.
Përshëndetje dhe nderim, përkrahje të pakufishme këtyre intelektualëve kolosë, nga më të mëdhenjtë e shek.XX!
28 shtator deri në 2 tetor në Lisbonë do të bëhet seanca e parë plenare e Parlamentit Ndërkombëtar të Intelektualëve.
Presidenti i parë i këtij Parlamenti është zgjedhur paraprakisht pikërisht Salman Ruzhdie.
Ruzhdie ka botuar një deklaratë, të konceptuar si një apel publik për të gjithë.
Në të në substancë thuhet, se shkrimtarët dhe intelektualët janë qytetarë të botës, të të gjithë vendeve pa përjashtim, shtetas dhe banorë heretikë të Mbretërisë së Fantazisë, të Vendit gjysmë të harruar të Kujtesës, të Shteteve të Bashkuara të Shpirtrave, të trazuar dhe të qetë e stoikë, të kombeve qiellore të djallëzuar e të çuditshëm të dëshirave, janë populli i madh dhe i pazëvendësueshmë i Republikës Botërore të Fjalës.
Arti është i plotfuqishëm, po shpesh artistët janë të pambrojtur. Poezitë e Ovidit mbijetuan dhe tejkaluan shekujt, po jeta fizike e Ovidit u shkatërrua pa mëshirë nga perandori August i Romës.
Fjala e Osip Mandelshtajmit sot ka rilindur, po vetë poeti u vra dhe nuk i dihet varri. Letërsia dhe arti i kundërvihet despotizmit, e injorojnë autoritetin e tij etatist, shpallin pavarësinë e tyre nga politikat e shtypjes dhe dehumanizimit etj etj.
Intelektualët e ndërgjegjshëm shprehen kështu kundër politikokracisë.
Të mos harrojmë vërejtjen e hidhur po të vërtetë të filozofit ndër më të mëdhenjtë e fundit të këtij shekulli Karl Poperit, se sot në skenën politike është zotërues sindromi i mungesës së liderizmit, d.m.th mungojnë liderët e shquar politikë si De Goli dhe Çurçilli, kemi politikanë të rutinës, të radhës, pale të mendosh për liderat ballkanikë, tërë komplekse dhe mungesa intelektuale të dukshme, disa prejt tyre nuk mund të fshihen dhe të maskohen dot me autoritarizëm primitiv dhe patriarkal të kobshëm dhe njëkohësisht grotesk.
Mendimi i mrekullueshëm i Rexhep Qoses se partitë, siç e provon jeta, dhe degradojnë, prandaj duhen oponencat heretike të intelektualëve të shquar për të dimensionuar vizionet e vërteta të politikave humane dhe jo vetëm ekonomike është në union të thellë dhe të domosdoshëm me krijimin e parlamentit të mësipërm.
Duke biseduar me Dritëro Agollin në kafenë e Kuvendit për idenë e madhe të Parlamentit Ndërkombëtar të Intelektualëve e pyeta se kush nga intelektualët shqiptarë e meriton më tepër të përfaqësohet në të, Dritëroi m’u përgjigj thjesht:- Rexhep Qosja!
Xhevat Lloshi, kur i njoftova se nënpresident i Parlamentit Ndërkombëtar të Intelektualëve ishte Zhak Derrida u entuziazmua.
Kishim biseduar bashkë shumë herë për Derridan, për analizat e tij të mrekullueshme për Malermenë, Hajdegerin, Marksin, për kritikat që ai i bën sistemit të quajtur “logjikocentrizëm”, për të treguar kontradiktat konceptuale të metodave dhe lëvizjeve e reja të mendimit bashkëkohor.
Xhevati shfaqi mendimin të shkruante një skicë për Zhak Derridan, për të njohur publiku dhe kultura shqiptare një nga intelektualët më të mëdhenj dhe interesantë të kohës sonë.
Tiranë, 4 maj 1994