Sido që të mbarojnë negociatat e ethshme të këtyre orëve, kriza 90 ditore e Çadrës ka një humbës të madh: kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kush e shihte sot zotin Basha teksa shkonte në mënyrë të përsëritur në zyrën e Berishës, nuk mund të mos i bënte vetes pyetjen e thjeshtë “kush është kreu i vërtetë i partisë”?
Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk ka shumë rëndësi, në pozitën që ndodhet sot kryetari formal Basha. Sepse ai ka momentalisht problem shumë më të mprehta sesa protokolli me paraardhësin e tij Berisha. Së pari Basha do të duhet të shpjegojë, në rast dështimi të negociatave, se cila është rruga dhe kursi që partia e tij dhe vetë opozita do të ndjekin duke qëndruar jashtë sistemit politik. Do të duhet të shpjegojë sesi europiane e amerikanë ja futën që të gjithë kot, e vetëm ai pati të drejtë në një krizë që e pa PD të dilte nga parlameneti dhe të linte në vacuum vendin e madh që ze në zgjedhjet e përgjithshme prej vitit të largët 1991.
Së dyti, nëse rast se kjo krizë shkon drejt një zgjidhjeje kompromisi, Lulzim Basha ka disa probleme të tjera po aq të vështira sa i pari. Në mos edhe më të vështira. Ai predikoi gjatë tre muajve në Çadër, se opozita nuk do të hynte në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Lakoi deri në ekstrem me stoicizëm, në të gjitha fjalimet e tij, togëfjalëshin “qeveri teknike”, duke indoktrinuar në mënyrë absurd turmën rreth vetes, me këtë premtim që s’mund ta mbante. U betua se nuk do të kishte zgjedhje me shumicën aktuale në pushtet, duke krijuar pritshmëri false tek mbështetësit dhe duke i lodhur deri në ekstrem negociatorët shqiptarë e të huaj, që guxuan t’i afrohen për të gjetur një zgjidhje të mesme.
Së treti, pasi të ketë dhënë shpjegime publike për mosrealizimin e të gjitha objektivave të mësipërme (që shiheshin si të panegociueshme nga ai dhe aleatët e tij), Lulzim Basha duhet të gjejë një mënyrë për të vënë në lëvizje makinën e bllokuar elektorale të PD, e cila sot ndodhet thjesht në gjendje të braktisur. Basha i ka të qarta raportet numerike të forcave, përballë të majtës. PS, LSI dhe partive të tjera që nuk aderojnë në koalicionin e tij. Ai është munduar këto muaj të ndërtojë në fakt një alibi me kanabis e kriminelë, për atë që pritet të jetë humbja e tij e ardhshme zgjedhore. E dyta, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, dhe me një kosto politike Brenda dhe jashtë PD, e cila mbetet për t’u peshuar në javët që do të vijnë. Ai mund të zgjidhet kryetar partie në rast se votohet para datës së zgjedhjeve të shtyra (nëse palët do të bien dakord për diçka të tillë), por pozita e Bashës në PD me një rezultat jopozitiv në votimet e përgjithshme do të ishte gjithsesi e kompromentuar. Dhe në këtë humbje të pritshme, një rol të madh ka padyshim tremujori i Çadrës, gjatë të cilit ai ja zbriti peshën, numrat dhe përkrahjen opozitës, siç u dëshmua edhe në protestën e 13 majit.
Lulzim Basha po rrezikon të hyjë në tunelit e errët të zgjedhjeve, pasi u mundua me të gjitha mënyrat për ta evituar. Eshtë një epilog për të ardhur keq, i një udhëtimi gjatë të cilit ai e pa veten të fortë brenda Çadrës që ngriti me duart e veta. Duke përjetuar autosugjestionin dramatik të një njeriu, i cili, tani që po ve këmbën jashtë atij perimetri pllakash të bulevardit, rrezikon të shohë se realiteti është krejt i ndryshem.