Observatori Europian i Futbollit, CIES, vlerëson Etrit Berishën si një prej portierëve më të mirë në qarkullim, falë paraqitjeve të tij në sezonin 2016-2017. Gardiani i Atalantës ka qenë një ndër më të spikaturit në këtë sezon dhe rezulton të jetë portieri më i mirë i Serisë A, sipas studimit që ka marrë për bazë të dhënat statistikore të 5 kampionateve më të forta (La Liga, Premier Liga, Bundesliga, Seria A, Liga 1).
Duke marrë për bazë vetëm futbollistët të cilët janë aktivizuar të paktën 2000 minuta në kampionatet përkatëse, Berisha vlerësohet me notën e përgjithshme 81,5 , duke qenë i pesti në listën e përgjithshme të portierëve të këtyre 5 kampionateve që përfaqësojnë elitën e futbollit në kontinentin tonë.
Berisha ndan këtë pozicion me Mark Andre Ter Shtegen të Barcelonës dhe Jan Oblak të Atletiko Madrid, ndërsa ka lënë pas kapitenin e Juventusit, Xhixhi Bufon. Portierët që i paraprijnë në listë janë Manuel Nojer i Bajern Mynih (nota 88), Serxhio Asenjo i Vijareal (84,5), Hugo Loris i Totenhem (84) dhe Roman Burki i Borusia Dortmund (82,5)./Panorama/a.m.
Duke marrë për bazë koeficientet statistikorë të çdo pozicioni, CIES ka ndërtuar edhe formacionin ideal të sezonit 2016-2017, si vijon më poshtë:
Nojer (Bajern Mynih); B. Peres (Roma), M. Humels (Bajern Mynih), H. Martinez (Bajern Mynih), Aleks Sandro (Juventus); Tiago Alkantara (Bajern Mynih), P. Pogba (Mançester Junajtid), N. Keita (Lajpcig); K. Ronaldo (Real Madrid), D. Mertens (Napoli), L. Mesi (Barcelona).